Përzgjedhja e yjeve të MLS mposhti atë të Ligës meksikane me rezultatin 3-1 në ndeshjen tradicionale All Star, zhvilluar në Austin. Megjithatë, tifozët mbetën të zhgënjyer nga mungesa e Lionel Messit, yllit të Inter Miami, i cili nuk iu përgjigj ftesës për pjesëmarrje, ashtu si Jordi Alba.
Mungesa e Messit – pa një dëmtim të konfirmuar zyrtarisht – përbën shkelje të rregullores së MLS, që parashikon pezullim me një ndeshje, siç ndodhi edhe me Zlatan Ibrahimovic në vitin 2018.
Situata ka shkaktuar debat të madh, sidomos pasi drejtuesit e kampionatit nuk kanë dhënë një qëndrim të qartë. Komisioneri Don Garber tha se liga po e trajton çështjen, duke përmendur lodhjen e lojtarëve të Inter Miami për shkak të pjesëmarrjes në Kupën e Botës për Klube, gjë që i ka lënë pa pushimet 10-ditore që kanë marrë lojtarët e tjerë.
Garber gjithashtu nënvizoi se Messi mungoi edhe në stërvitjen e së mërkurës, dhe se Inter Miami duhet ta kishte njoftuar më herët ligën për situatën. Në fund, vendimi mund t’i mbetet klubit, që përballet këtë fundjavë me Cincinnati-n, liderin e Konferencës Lindore. Trajneri Javier Mascherano kishte shprehur më herët dëshirën që Messi dhe Alba të shmangnin lodhjen e All Star Game.