Ballina Politika Nga kryetarë bashkish te deputetë e investitorë strategjikë, SPAK mbledh 97 deklarime...

Nga kryetarë bashkish te deputetë e investitorë strategjikë, SPAK mbledh 97 deklarime personash që ishin në dijeni për dosjen e Veliajt

33
0

Hetimi për korrupsionin e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nga ana e Prokurorisë së Posaçme do të vijojë deri më 24 shtator, ku edhe në këtë datë SPAK do të vendosë nëse do ta çojë dosjen për gjyq.

Nga 6 dhjetori i vitit 2024 e deri më 17 korrik të këtij viti Prokuroria e Posaçme ka administruar 97 deklarime të personave që kanë dijeni mbi veprat penale që prokuroria ia ka atribuuar Erjon Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe personat e tjerë të përfshirë në këto hetime.

Mes personave që ka dhënë deponime në SPAK ka qenë kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi, pasi është zbuluar një tender i dhënë nga kjo bashki për një nga OFJ-të e Ajola Xoxës.

Prokuroria e Posaçme ka marrë dëshminë edhe të investitorit strategjik, Gazmend Paja, ky i fundit një lidhje e ngushtë e Veliajt.

Më 14 shkurt të këtij viti për t’u dëgjuar si person që ka dijeni mbi hetimet në dosjen “Veliaj” ishte edhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca.

Ilriana Basha, bashkëshortja e ish-drejtorit të Teatrit Kombëtar Altin Bashës, po ashtu ka dhënë në dëshmi në Prokurorinë e Posaçme.

Sipas dosjes, Altin Basha bashkë me bashkëshorten kanë përfituar 9 projekte, afro 320 mijë euro nga bashkia Tiranë.

Por jo vetëm kryetarë bashkie, për dosjen Veliaj në Prokurorinë e Posaçme është paraqitur edhe ish-deputeti demokrat Myslym Murrizi.

Në atë kohë i pyetur nga mediat ai deklaronte se nuk ka lidhje me të si person, por me hetime për persona të tjerë ku mund të jetë përmendur edhe emri i tij.

Prokuroria e Posaçme ka pyetur edhe ish-drejtoreshën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Abigelia Voshtina.

Sipas të dhënave është zbuluar një kontratë “Kontratë qiraje” me palë: Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit e Ansamblit Popullor, përfaqësuar ligjërisht nga drejtoresha e Përgjithshme znj. Abigeila Voshtina, dhe “RAMETAL”, kompani kjo e Elman Abules.

Sipas kontratës, TKOBAP angazhohet t’i paguajë “Rametal” sh.p.k., shumën totale prej 1.213.380 lekësh pa TVSH.

Pjesë tjetër e personave që i janë marrë deklarime vijnë nga bota e biznesit, si dhe drejtues të disa OFJ-ve, të cilët besohet sipas SPAK-ut se kanë qenë përfitues të parave publike.