Artisti shumëplanësh Bujar Kapexhiu, ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, për të rrëfyer jetën dhe veprën e tij të gjatë dhe të larmishme.
I lindur në Tiranë, Kapexhiu është shquar si aktor, regjisor dhe më vonë edhe si karikaturist. Ai tregoi se edhe pse mori të drejtën e studimit për inxhinieri, triumfoi dashuria që kishte për teatrin, e cila e çoi të konkuronte dhe të hynte në Institutin e Arteve dhe kjo pa dijeninë e prindërve, të cilëve ua mbajti të fshehtë për gati dy vite, derisa u emërua që të jetë regjisor në Estradën e Tiranës.
“Unë kam lindur në Tiranë, në një lagje që është afër Liceut Artistik, rruga “Qamil Guranjaku”. Në atë rrugë jam lindur dhe rritur dhe jam larguar nga viti 1972 sepse shtëpitë tona përdhese me qerpiç, ato bahçet e mëdha me pemë frutore të bukura dhe filloi ndërtimi i pallateve. Me nostalgji kur kaloj ndonjëherë gjej shtëpinë, portën…
Nëna ime tërë jetën e saj punoi si kuzhiniere dhe rrobaqepëse dhe të gjitha rrobat i bënte ajo.
Unë kam lindur në Tiranë, por prindërit e mi, babai është nga Dibra e Madhe që erdhi në vitin 1013, nëna im ishte nga Korça. Po të marrësh hartën dhe ta palosësh në mes Dibra bie mbi Korçë.
Nuk kam qenë fëmijë i prapë, por i shkathët, i lëvizshëm dhe që fëmijë jam marrë me teatër lagjeje.
Motra dhe vëllai im ishin binjakë. Tani ata me siguri janë në parajsë dhe na shohin nga lart. Motra iku para 3-4 vitesh, vëllai më shpejt.
Adoleshenca për mua ishte kohë kur e kalova bukur, mirë, këndshëm. Isha nxënës shumë i mirë, kam mbaruar shkollën «Kosova».
Dashuria ime e parë ka qenë 10-12 vjeç që mendoja dikë që e kisha në lagje, që e ndjeja shumë të afërt. Unë kam patur një shans se kam patur shtëpi me oborr me shumë fruta dhe në mes ka qenë një man i madh ku mblidhej gjithë lagjja kur shkundej dhe kurr rritej në maksimum bëhej rozë. Atëherë vinte edhe ajo vajza. Mbeti një dëshirë platonike dhe kënaqësi kur rrinim bashkë.
Që në vogëli jam marrë me teatër, me teatrin e hijeve me perde kur i vendonim drita prapa, jam marrë me pikturë, recitoja jashtëzakonisht shumë. Kur vinin mysafirët në shtëpi unë i thoja nënës : Të filloj të recitoj? Çdo vit fitoja fletë kampi me recitime, në Durrës, në Vlorë, Pogradec.
Në gjimnaz filloi konflikti familjar. Prindërit donin që të bëhesha inxhinier se atëherë doktor dhe inxhinier kishin vlerë. Donin të bëhesha arkitekt, meqë merresha me pikturë. Unë desha teatrin. Mua më doli e drejta e studimit për inxhinieri ndërtimi dhe unë mbarova vitin e parë. Në këtë kohë kur unë bëja praktikën e gjeodezisë erdhi Dhimitër Pecani që ishte në vitin e parë për aktor dhe më thotë eja se ka nisur konkursi. I mora leje profesorit dhe mora provën. Pasi recitova pedagogët më thanë fiton.
Prindërit e morën vesh pas dy vjetësh që isha për aktor. Nëna me thoshte që në vitin e parë bëja shumë vizatime tani jo. I bëjmë në shkollë, i thashë.
Nëna ime ishte te kuzhina, im atë te mekaniku, ndërsa unë vazhdoja shkolën dhe kur mbarova ata u gëzuan shumë se të gjithë shokët e inxhinierisë i dërguan në veri, mua më mbajtën në Tiranë. Unë u caktova regjisor në Estradën e Tiranës, meqë merrsha me humor, me karikaturën”- rrëfeu Kapexhiu.