Ballina Politika “Rama nuk do zgjedhje në Tiranë” – Ylli Manjani: Ja pse nuk...

“Rama nuk do zgjedhje në Tiranë” – Ylli Manjani: Ja pse nuk i intereson tani. Prokurori që publikoi në media akuzat ndaj Veliajt, duhet flakur nga sistemi

35
0

Juristi Ylli Manjani shprehet se kryeminstri Rama nuk dëshiron të hyjë në zgjedhje për Bashkinë e Tiranës.

Sipas Manjanit, Rama ka një interes për të vepruar pa një kryetar bashkie siç po bën aktualisht.

“Nuk mendoj që kryeministri Edi Rama dëshiron që të hyjë në zgjedhje dhe të kërkojë zgjedhjet e bashkisë Tiranë tani. Kjo sepse këto zgjedhje do të jenë të vlefshme deri në 2027-ën dhe atij nuk i intereson kjo gjë.

Rama do ta përdorë këtë periudhë për të gjetur një kryetar bashkie ashtu siç duhet me qëllim që të hyjë në 2027-ën për mandate të plota.

Së dyti, ai nuk ka interes të hyjë në një debat politik në këtë histori. Një debat i tillë nëse Rama e do apo nuk e do Erion Veliajn, nuk besoj që i intereso politikisht atij.

Së treti, në këtë fazë, edhe për efekt të mënyrës së stilit të tij politik dhe menaxherial, do t’i interesonte të kishte një bashki kështu siç është me kolektiv, për të çuar deri në fund disa projekte që janë nisur dhe bëhen shumë më mirë pa kryetar bashkie sesa me një të tillë, siç po bëhen aktualisht”, tha Manjani për Euronews Albania.

Manjani komentoi dhe publikimin e akuzave ndaj Veliajt.

“4 akuza janë shumë, janë akuza që nëse vërtetohen, me një bashkim dënimesh, pa 10-12 vjet burg nuk shpëton, nëse vërtetohen të 4 akuzat siç janë ndërtuar.

Nuk është aspak normale, madje është totalisht anormale që përpara se t’i komunikohet akuza personit publikohet nga media.

Ai prokuror që e ka nxjerrë këtë dhe e ka hedhur në media dje duhet të qërrohet nga sistemi sot.

Kjo çështje është e paragjykuar se është gjykuar në publik, çfarë duhet të bëjë ai gjyqtari që do ketë në dorë çështjen”, tha Manjani.