Ballina Ekonomia Rritja e çmimeve të referencës/ Agjentët imobiliarë paralajmërojnë se pallatet e vjetra...

Rritja e çmimeve të referencës/ Agjentët imobiliarë paralajmërojnë se pallatet e vjetra do ngelen pa u shitur

65
0

Pas publikimit të çmimeve të reja të referencës, ndërtimet e vjetra rrezikojnë të mbeten jashtë tregut.

“Gjithmonë ato që janë më të prekurat, apo që do të dëmtohen më shumë janë ndërtimet e vjetra, ndërtime që kanë vite në treg do të penalizohen ose mund të mbeten edhe të pashitura.” shprehet agjenti imobiliar Ervin Demirxhiu pas publikimit të çmimeve të reja të referencës.

Çmimet e referencës për apartamentet po përgatisin qytetarët për një valë të re rritjeje në vitet e ardhshme. Por nga ana tjetër, ato sjellin një penalitet të drejtpërdrejtë për pallatet e vjetra. Tirana, zona e plazhit në Durrës dhe Ishulli i Sazanit janë ndër pikat ku pritet të ndihen më së shumti efektet e reja të çmimeve.

“Normalisht do të ndikojnë negativisht sepse do të jetë një barrë për qytetarin, dhe kjo do të vihet re më shumë tek pronat që janë nën nivelin e çmimeve të referencës,”- u shpreh ai.

Rritjen më të madhe të çmimeve të referencës e kanë marrë sigurisht zonat ku po ndërtohet Porti i ri i Durrësit nga miliarderi Mohamed Alabbar me çmime që arrijnë deri në 2000 euro/m², si dhe Ishulli i Sazanit, ku pritet të ndërtohen resortet luksoze nga dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

“Për bregdetin ishte e pritshme që do të kishim një rritje të madhe sepse ka vite që në bregdet nuk janë rishikuar çmimet e referencës dhe çmimet e tregut janë shumë të larta,”- deklaroi Demirxhiu.

Edhe zonat e tjera bregdetare si Shkëmbi i Kavajës, Golemi, Lezha dhe Saranda, kanë përjetuar rritje të ndjeshme të çmimeve të referencës, duke zhvendosur vëmendjen e investitorëve drejt bregdetit./ Scan tv