Sigurimi i pronës do të jetë i detyrueshëm për të gjitha banesat, përfshirë ato në proces legalizimi apo me qira sociale. Qeveria ka rikthyer projektligjin, përmes të cilit do të garantojë shpërblim për dëmet që mund të shkaktojë një tërmet me intensitet mbi 5 ballë.
Propozimi i ri parashikon krijimin e një Fondi për Tërmetet si shoqëri aksionare shtetërore, e cila do të mbledhë primet e sigurimit dhe do të kryejë pagesat për dëmet.
Shtresat në nevojë do të mbulohen nga buxheti i shtetit, ndërsa bashkitë do të paguajnë për kategoritë përkatëse.
Pronarët që nuk paguajnë, nuk do të kenë akses në shërbime të rëndësishme publike në Kadastër, e-Albania apo QKB.
Primi i sigurimit dhe shuma maksimale e dëmshpërblimit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërkohë, shoqëritë private të sigurimit janë përjashtuar nga procesi dhe kontrolli do të bëhet nga vetë ministria.
Sipas qeverisë, ky hap vjen në përgjigje të rrezikut të lartë nga tërmetet, pasi Shqipëria renditet ndër vendet më të ekspozuara në Evropë. Kujtojmë se që nga viti 1900 në vendin tonë kanë rënë 12 tërmete mbi 6 ballë.