Kriza e thellë politike dhe përçarja që po kalojnë krerët e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, reflektohet edhe tek strukturat e partive.
Largohet nga Nisma Thurje këshilltari bashkiak i Nismës Thurje në Bashkinë e Korçës, Klajdi Pllaha. Lajmin e ka konfirmuar vetë i zgjedhuri vendor nëpërmjet një mesazhi të postuar në llogarinë e tij personale në rrjetin social Facebook.
Postimi i plotë i Klajdi Pllahës në Facebook:
“Një mik i mençur më pati thënë dikur: “Për të njëjtën arsye pse hyn në një parti, për të njëjtën edhe del prej saj.”
Në vitin 2021, kur u angazhova për herë të parë me Nismën Thurje, e njihja pak, por hyra me idealizëm, sepse besoja në pastërtinë e të rinjve që donin të ndryshonin sistemin. E përfaqësova në tri palë zgjedhje, duke rritur rezultatin dhe duke u pjekur politikisht, pa humbur idealizmin dhe pastërtinë.
Tani ka ardhur momenti të shkëputem nga kjo lëvizje, sepse ngjarjet e zgjedhjeve të fundit treguan se ky idealizëm është humbur në këtë parti, ose në rastin më të mirë është vënë në hije nga egoja personale apo papjekuria politike. Mbase një ditë do të ndodhë një reflektim i thellë dhe i sinqertë nga dy drejtuesit e koalicionit, por për momentin, unë nuk mund ta përfaqësoj më Nismën Thurje.
Megjithatë, nuk pendohem për këto pesë vite angazhim. Së pari, sepse më kanë bërë të njoh të rinj të tjerë idealistë, që fatkeqësisht, njëri pas tjetrit, janë larguar nga Nisma. Së dyti, gjatë gjithë kohës nuk jam ndjerë i përfshirë në vendimmarrjen e partisë, ndaj kam qenë gjithmonë më afër qytetarëve të Korçës sesa vetë partisë. Dhe jam i sigurt që të gjithë ata që më kanë votëbesuar, ia kanë dhënë besimin Klajdit, jo partisë.
Angazhimi im politik do të vazhdojë, ashtu si në dy vitet e fundit në Këshillin Bashkiak, për të qenë zëri i qytetarëve korçarë – tashmë dhe zyrtarisht si i pavarur, ashtu siç jam ndjerë gjithmonë.
Dhe, pavarësisht gjithçkaje, unë mbetem pozitiv, duke besuar se të rinj idealistë dhe me karakter nuk do t’i mungojnë kurrë Shqipërisë, madje as politikës. Ndërkohë, le të vazhdojmë të forcojmë zërin qytetar”.