Ballina Kulturë “Vajzat e mjegullës” i shkrimtarit Namik Dokle botohet në Greqi! Udhëtimi i...

“Vajzat e mjegullës” i shkrimtarit Namik Dokle botohet në Greqi! Udhëtimi i romanit nga një gjuhë në tjetrën

12
0

Botuesja Mary Thermioti e shtëpisë botuese BY THE BOOK në Athinë, njofton botimin e romanit “Vajzat e mjegullës” të autorit Namik Dokle.

“Jemi të kënaqur – shkruan ajo – për bashkëpunimin me shkrimtarin e talentuar shqiptar, Namik Dokle, për botimin e librit të tij. ‘Vajzat e mjegullës’ është një roman që tashmë ka fituar një audiencë të gjerë pas tri botimeve në Tiranë dhe përkthimeve në Angli, Spanjë, Turqi, Bullgari dhe Bosnje”.

Duke u ndalur në përmbajtjen e librit, botuesja Mary Thermioti shkruan: “Në fund të botës ose në mes të askundit, është një fshat i vogël, Bukojna, një vendbanim në Gorën shqiptare, ku burrat thinjen që në fëmijëri dhe shikojnë më mirë natën se ditën, ku dielli lind dy herë në ditë dhe hëna shfaqet dy herë natën. Në këtë botë të vogël, ku kanë nisur të zbatohen dhe të lëshojnë rrënjë rregullat e reja, të imponuara nga shteti komunist i viteve pesëdhjetë, ngjarjet zhvillohen nën vështrimin kureshtar dhe naiv të një djali 12-vjeçar, i cili, me pafajësinë e vet, zbulon fajet e kësaj bote dhe të kohës së vet. Përpjekjet e dhunshme për të çrrënjosur identitetin kulturor dhe shpirtëror të njerëzve bëhen çdo ditë e më barbare, por njëherësh ndeshen edhe me rezistencën e banorëve të kësaj treve. Në këtë përplasje zhvillohet drama e këtij libri, të cilin nuk duhet ta humbisni”.

Libri gjendet në rrjetin e librarive “Nakas Book House” në Athinë, Patra, Janinë etj. dhe në librari të tjera të Greqisë. Ky është një udhëtim fantastik i romanit “Vajzat e mjegullës” nga një gjuhë në tjetrën, nga një vend në tjetrin. Brenda pak vitesh lindi në shqip dhe rilindi në gjuhën boshnjake, spanjolle e tani po merr jetë në anglisht.

Romani përcillet me këtë koment të shtëpisë botuese: “Në fund të botës, ose në askund, në zonën shqiptare të krahinës së Gorës, i fshehur në mjegull, gjendet një fshat i vogël i quajtur Bukojna, në një vend ku, sipas legjendës, dielli lind dy herë në ditë dhe hëna perëndon dy herë çdo natë; një vendbanim, banorët e të cilit, me origjinë bogomile, janë shtuar me një përzierje origjinash të tjera; nga vllehët e bukur, nga hebrenjtë e ditur, apo nga malësorët trima dhe krenarë. Është një fshat ku “burrat thinjen që në fëmijëri dhe shikojnë natën më mirë se ditën”, – siç thotë Majka, një plakë treqind vjeçare, të cilën e ka harruar vdekja.

Dhe pikërisht këtu, në këtë mikrokozmos të Gorës shqiptare përpiqen të zënë rrënjë, me ashpërsinë e pamëshirshme të viteve pesëdhjetë, norma të reja jetese, të detyrueshme nga diktatura komuniste, nën vështrimin shqyrtues dhe dyshues të një fëmije që rrëfen ngjarjet e romanit. Përpjekja e dhunshme për të çrrënjosur kujtesën e njeriut, shpirtin e tij identifikues, vjen e bëhet çdo ditë më e egër kundër çdo gjëje njerëzore, kundër pronës, kundër festës së Shëngjergjit, kundër traditave të dasmës, kundër lutjeve të Majkës dhe këngëve të vajzave që mblidheshin çdo mbrëmje në të shtatë portat e fshatit, kundër legjendave dhe mallkimeve (si ai i Sinan Pashës), kundër arsyes dhe fjalës së lirë e solidaritetit (të përfaqësuara nga mësuesi) dhe më në fund, edhe kundër të drejtës së pamohueshme të njeriut për të ruajtur dinjitetin e vet: “Ose je, ose nuk je njeri!”.

Represioni i regjimit të Enver Hoxhës përplaset me ata njerëz, trishtimi mbulon gjithçka, kur të gjitha vajzat dërgohen me detyrim në “aksion” dhe nuk i lejojnë të kthehen për festën e Shëngjergjit, tokat në kufi bëhen të askujt, bodrumi i organizatës komuniste bëhet i frikshëm, komiteti me ballkon dhe komiteti pa ballkon kontrollojnë gjithçka nëpërmjet komandantit të kufirit, sekretarit të vetëquajtur Stalini i fshatit, policisë politike dhe spiunëve e paditësve. Taksat dhe detyrimet për t’i dorëzuar shtetit prodhimet bujqësore sjellin regjimin e urisë. Dhe më në fund edhe pushkatimet, në fillim arusha që kaloi kufirin, pastaj qeni që kafshoi të deleguarin (“kështu do ta pësojë cilido që do të kafshojë shtetin tonë të ri!”) dhe në fund edhe Mësuesi që pushkatohet mbi skelerinë ku dikur qe vendosur arusha e vrarë.

Dhe pikërisht ai fshat i harruar mes maleve, të cilit përpiqen t’i rrëmbejnë magjinë dhe rrjedhën natyrale të jetës, reziston me mënyrën e vetme që di dhe mundet, shpreh kundërshtinë e tij nëpërmjet besnikërisë dhe ruajtjes së folklorit dhe të folmes së vet, duke përballur gjuhën e gjallë të personazheve, këngën e pavdekshme, me zdërhalljen brutale dhe të ndyrë të sunduesve të rinj. Nuk jemi, pra, vetëm përpara historisë së një fshati, por përpara një historie mbijetese dhe rezistence shpirtërore, me tonalitet dhe ngjyrime balladash, që nga një kronikë, në dukje familjare, end Sagën e Gorës dhe të Goranëve.