Ballina Kulturë Veshalla, një “muze” i trishtë në Malësinë e Sharrit

Veshalla, një “muze” i trishtë në Malësinë e Sharrit

24
0

Nga Merxhan Jakupi 

Çdo herë kur vija në pushime, duke iu afruar me makinë qytetit tim, nga lartësia dhe horizonti shikoja bjeshkët dhe malet e larta të katundeve të Malësisë së Sharrit, sidomos të katundit Veshallë. Shpesh, këto pamje më ndjellnin kujtime dhe një nostalgji të thellë.

Katundi ku lindën stërgjyshërit, gjyshërit dhe prindërit e mi dhe ku unë kalova vitet më të lumtura të rinisë sime, mbetet gjithnjë i dashur për mua.

Duke u ngjitur rrugëve të katundeve të Malësisë së Sharrit, Gajre, Shipkovicë dhe Brodecë, hidhja sytë kah kodrinat, malet e larta dhe bjeshkët e hijshme të Sharrit. Gjithnjë them me vete, këto janë bukuri natyrore dhe mahnitëse që Zoti i ka falur këtij vendi.

Kur arrita te Kulla, përballë dukej minarja e lartë dhe xhamia…

Duke kaluar urën e lumit Shkumbin, në të djathtë pashë një shkëmb dhe shtratin e lumit, ku në fëmijëri laheshim te pusi me shokët e fëmijërisë. Në hyrje të katundit ndodhet Çukthi dhe në mes varri i babait Hajdar. Po ashtu, aty është ngritur, para disa dekadash, edhe pllaka përkujtimore e dëshmorëve të rënë në frontin e Sremit.

Në kohën e monizmit, ngritja e një pllake apo statuje për malësorët ishte krenari dhe mburrje. Por, pas shembjes së komunizmit dhe diktaturës, u zbulua se një pjesë e këtyre trimave malësorë ishin vrarë ose plagosur në frontin e Sremit, ndërsa pjesa tjetër ishin vrarë apo helmuar në Tivar, bashkë me mijëra shqiptarë të tjerë nga partizanët dhe çetnikët serbë.

Kjo pllakë përkujtimore do të mbetet simbol i viktimave të Tivarit dhefrontit të Sremit, një dëshmi e golgotës së shkaktuar nga nacional-komunizmi serb.

Përballë, në të djathtë, ishte shtëpia e gjyshit tim Merxhanit dhe  Mesimit, dy vëllezërve që kishin pasur një han gjatë periudhës osmane dhe më vonë edhe në periudhën e Mbretërisë Jugosllave.

Duke kaluar rrugicave, në të majtë dukeshin gjurmët e mureve të oborrit dhe të shtëpisë në këtë katund, në të cilin kisha kaluar një pjesë të fëmijërisë sime.

FLUKSI I PARË I MËRGIMTARËVE NË SHTETET PERËNDIMORE

Mërgimtarët e parë nga katundi Veshallë morën botë në sy në fillim të viteve të 60-ta. Fluksi më i madh filloi gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta. Këta mërgimtarë ndërtuan shtëpi dhe pallate, duke investuar shumë në vendlindje.

Duke shëtitur nëpër lagjet e zbrazura, syri më kapte shtëpi të pabanuara, që kishin filluar të shemben, si dhe rrënojat e mureve . Kafenetë ishin të mbyllura. Në të vetmen kafene që mbeti e hapur, sapo u përshëndeta, më sollën kafe dhe ujë të ftohtë të Sharrit. Imami më tha se vitin e kaluar ishte mbyllur edhe shkolla, e tani, siç duket, do të mbyllet edhe xhamia.

Nga një ndjenjë e thellë nostalgjie, kalova sokakëve, shtigjeve të Lurëve dhe te Guri i Gjatë. Pasi mora frymë thellë, ndalova tek Guri Dinak dhe Guri i Gjatë. Këta shkëmbinj gjigantë ishin tempujt e mi të fëmijërisë.

Te Rrugicat e Lurëve dhe te Kroi i Bukëve, pikërisht në këto dy lagje kalova fëmijërinë më të lumtur të jetës sime. Shpesh, kur fillova të shkruaj për Malësinë dhe katundin e prindërve të mi, në disa artikuj kam përmendur Sokakun e Lurëve, Çukthin dhe “Gjurin e Gjatë”, duke rrëfyer edhe shumë përjetime personale.

Verën e kaluar, bashkë me kushëririn tim, u ngjitëm drejt maleve të Vardishës. Duke ecur përpjetë nëpër rrugicat ku dikur malësorët me kuaj bartnin dru, vërehej se rrugicat ishin mbuluar nga ferrat dhe kullosa, dhe kishin humbur gjurmët. Anash dukeshin degët dhe trungjet e prerë që kishin filluar të kalben.

Pak para se të arrinim në Rrah, kushëriri më tregoi “Gjurin e Cucave”, një shkëmb ku, dikur, djemtë dhe vajzat nga katundet Veshallë dhe Bozovcë mblidheshin për Ditën e Shën Gjergjit dhe në këtë vend mblidhnin lule dhe ktheheshin të stolisur me kurora, me filiza dhe lule në kokë.

Duke ecur malit, kushëriri im Dauti më tregonte arat dhe livadhet e njerëzve të katundit. Tani, këto ara dhe livadhe dukeshin si xhungla , të mbuluara nga bari i egër dhe kullosa të pakositura. Askund nuk dëgjoheshin lehjet e qenve.  “Oh, Zot,” thashë me vete. Një imazh imazh i trishtë. Ikën të gjithë. Iku rojëtari i maleve,  iku edhe “polaku”. Iken të gjithë.

Po kush mbeti?

Mbetën vetëm shtëpitë, lagjet, kafenetë dhe rrënojat. Imazhi i këtij katundi të zymtë i ngjante një muzeu të trishtë, ose qytetit antik romak, Pompeout.

 “VATRA JONË NA BASHKON”

Gjenerata e parë e mërgimtarëve, shumica tashmë kanë ikur nga kjo botë. Një pjesë tjetër, të plakur e të sëmurë në mërgim, presin vdekjen, për t’u kthyer në fund me arkovole dhe për t’u prehur në tokën që i lindi.

Kjo gjeneratë, gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta, formoi një shoqatë humanitare.

Gjenerata e dytë e vazhdoi me këtë shoqatë, duke rrugëtuar nën moton “Vatra jonë na bashkon.” Kjo gjeneratë vazhdon të ruajë trashëgiminë kombëtare, kulturore dhe shpirtërore.

Nga kjo shoqatë e katundit Veshallë, nga mërgimtarët organizohen dy manifestime të rëndësishme çdo vit: njëri mbahet në fund të muajit korrik në vendëlindje, ndërsa tjetri mbahet në Zvicër, me rastin e festave të nëntorit,  festës së flamurit dhe të pavarësisë së shtetit shqiptar.