Ballina Politika “Afati i fundit për largimin vullnetar, 31 korriku”, Rama: Ka nisur përpjekja...

“Afati i fundit për largimin vullnetar, 31 korriku”, Rama: Ka nisur përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve

0
22

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook, duke njoftuar nisjen e një aksioni të gjerë për çlirimin e hapësirave publike buzë rrugëve kombëtare, nga çfarë ai cilëson si “rraqe të llojllojshme” të bizneseve.

“Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës”, shkruan Rama, duke theksuar se bizneset që operojnë përgjatë akseve rrugore kanë afat deri më 31 korrik, për të larguar vetë çdo material që ndodhet më pak se 20 metra nga aksi i rrugës, sipas distancës së sigurisë të përcaktuar me ligj.

Sipas Kryeministrit, materialet në oborret e përparme të bizneseve, përfshirë edhe gardhet, duhet të tërhiqen në përputhje me projektet që do t’u dorëzohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Rama paralajmëroi gjithashtu masa ndëshkuese për të gjithë ata që nuk zbatojnë afatin.

Postimi i plotë:
Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës🧹

Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë – përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH📁

Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi👊

Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE