Ballina Ekonomia “Asnjë shërbim kadastral pa sigurimin nga tërmetet”- Zbardhet ligji i ri: Rastet...

“Asnjë shërbim kadastral pa sigurimin nga tërmetet”- Zbardhet ligji i ri: Rastet kur aplikohen penalitetet për pronarët, banesa s’mund të regjistrohet, shitet apo legalizohet

31
0

Ministria e Financave ka konfirmuar se çmimet e reja të referencave janë gati dhe pritet të bëhen publike në vjeshtë, për t’i hapur rrugë në janar procesit të rivlerësimit.

Nëse realizohet, ky rivlerësim i pronave do të jetë i pesti në 14 vjet dhe zakonisht bëhet në prag fushatash elektorale për të shëndoshur financat publike kundrejt përfitimit të pronarëve, të cilët sjellin pronat e tyre në çmimet reale në treg kundrejt një shume më të ulët nga ajo që duhet të paguanin në një rast normal. Procesi i ri pritet të nisë zyrtarisht në janar 2026.

Deri atëherë, qytetarët do të kenë kohë të informohen, të përgatisin dokumentacionin dhe të përfitojnë nga kjo mundësi për të bërë një hap të rëndësishëm drejt formalizimit të pasurisë së tyre.

Së pari, përfitimi më i drejtpërdrejtë është mundësia për rivlerësim të pronës me një normë të ulët tatimore. Shuma që përflitet është 5% (nga 3 që ka qenë në rivlerësimin e fundit) mbi diferencën mes vlerës së vjetër dhe asaj të re të tregut. Kjo vlen si një mundësi për ata që duan të legalizojnë apo përditësojnë vlerën e pasurisë së tyre, veçanërisht për shitje, dhurime, trashëgimi apo përdorim si garanci kredie. Së dyti, përmirësimi i çmimit referencë do të krijojë një transparencë më të madhe në tregun e pasurive të paluajtshme, duke i dhënë fund vlerësimeve fiktive dhe kontratave me vlerë minimale. Kjo ndikon edhe në mbrojtjen e interesave të qytetarëve, të cilët shpesh janë penalizuar për shkak të një sistemi tatimor që nuk pasqyronte realitetin.

Rivlerësimi i pronave pritet të sjellë një ndryshim edhe në çmimet reale të tregut. Me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të referencës nga janari 2026, ekspertët presin që tregu i pasurive të paluajtshme të përjetojë një fazë të re stabilizimi dhe, në disa raste, edhe rritje çmimesh. Në zonat urbane dhe turistike, ku vlera e tregut ka qenë shumë më e lartë sesa ajo e regjistruar zyrtarisht, çmimet mund të rriten deri në 30-50%, ndërsa në zonat bregdetare kjo rritje mund të shkojë edhe më tej.

Arsyeja është se pasqyrimi më i saktë i vlerës reale në dokumente do të rrisë edhe pritshmëritë e shitësve. Nga ana tjetër, kjo pritet të ndikojë në rënien e kontratave me vlerë të ulët, të cilat janë praktikuar gjerësisht për të shmangur tatimin, por që shpesh kanë dëmtuar palën blerëse në të ardhmen, për shembull kur prona përdoret si kolateral. Megjithatë, nuk përjashtohet një periudhë kalimtare me ulje të transaksioneve, për shkak të efektit psikologjik që mund të sjellë ndryshimi i vlerës referuese. Shitësit mund të kërkojnë më shumë, ndërsa blerësit mund të tregohen më të kujdesshëm, duke e bërë tregun më të ngurtë në muajt e parë të zbatimit.

Për ndërtuesit dhe agjentët imobiliarë, kjo është një mundësi për të krijuar një sistem më të rregullt dhe më të parashikueshëm. Referencat e përditësuara do t’i japin fund praktikave të përllogaritjeve “me sy” dhe do të vendosin një standard të ri për çmimin e metrave katrorë në të gjithë vendin. Në anën tjetër, autoritetet theksojnë se rivlerësimi nuk do të thotë domosdoshmërish rritje taksash. “Qëllimi është jo të rëndojmë qytetarët, por të krijojmë një bazë reale për tatimin dhe planifikimin urban”, u shpreh ministri i Financave, Petrit Malaj disa ditë më parë.

SIGURIMI I DETYRUESHËM NGA TËRMETET

1. Subjekti i sigurimit detyrohet të lidhë kontratën e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe/ose aktet rregullatore në zbatim të këtij ligji, si dhe të kryejnë rinovimin e kontratës çdo vit apo për periudha më të gjatë sipas parashikimeve të kontratës.

2. Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre.

3. Buxheti i shtetit financon primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë.

4. Kategoritë përfituese të shtresave sociale në nevojë, kriteret dhe procedurat për financimin nga sigurimi i detyrueshëm i tërmeteve për shtresat sociale në nevojë, nga buxheti i shtetit dhe buxheti i njësive të vetëqeverisjes vendore tek Fondi për Tërmetet, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.