Ballina Dossier Dëshmia e rrallë nga Hollanda se si u mashtrua udhëheqësi i Shqipërisë:...

Dëshmia e rrallë nga Hollanda se si u mashtrua udhëheqësi i Shqipërisë: Oficeri i lartë i CIA-s, Peter Boeve, si ‘kryetar’ i Partisë Komuniste Holandeze, erdhi në Tiranë, ku takoi Enver Hoxhën…

0
22

Nga Genc KONDI

Intervista me Frits Hoekstra, ish-zyrtar i BVD (Shërbimeve Sekrete Holandeze) gjatë viteve ‘70-’80-të, përgjegjës i seksionit të komunizmit

Në mesin e vitit 2004, libri “Në shërbim të BVD-së” u kthye në një best-seller të vërtetë në libraritë holandeze. Që ditët e para pas publikimit, u vu re se ai bënte disa zbulime sensacionale, rreth mjeteve e metodave që përdorte në të kaluarën e afërt shteti holandez, në bashkëpunim me CIA-n amerikane, për të përçarë lëvizjen e majtë ekstreme, e cila kishte forcuar disi pozitat e saj në Evropën Perëndimore, pas largimit të partive tradicionale komuniste, të Lindjes e Perëndimit, nga pozitat e mëparshme, që dominoheshin nga qëllimi final i marrjes së pushtetit me dhunë.

Frits Hoekstra, ish-zyrtar i BVD (Shërbimeve Sekrete Holandeze) gjatë viteve ‘70-’80-të, përgjegjës i seksionit të komunizmit, nxjerr papritur në dritë një temë të harruar nëpër vite. Ai nuk ka marrë autorizim zyrtar për botimin e kujtimeve të tij, madje shteti holandez, e ka kërcënuar me masa ligjore. Por ish-zbuluesi, tani në pension, mendon se, me këto publikime, ai nuk i shkakton asnjë dëm vendit të tij.

Në të kundërt, tregohet se sa me zgjuarsi ai dhe kolegët e tij, ditën të infiltrohen në këtë lëvizje, duke shkuar deri në Shqipëri e Kinë. Për t‘u kthyer edhe me xhepat plot dollarë…! Me vështirësi të kuptueshme në atë kohë, ai pranoi të jepte një intervistë telefonike, të cilën po e botojmë si më poshtë vijon.

Zoti Hoekstra, a e parashikonit suksesin e librit tuaj në këto përmasa?

Në rast se libri im u shit kaq shpejt dhe pati këtë jehonë të papritur, këtë ja dedikoj faktit se gjithçka që kam shkruar, pasqyron me vërtetësi një segment të caktuar, shumë të rëndësishëm, të Luftës së Ftohtë, atë të spiunazhit. Para se të bëhem shkrimtar dhe konsulent në administrim biznesi, kam qenë për vite me radhë oficer karriere në Shërbimin e Fshehtë Holandez, që dikur quhej “BVD”.

Kam qenë oficer, analist dhe më pas drejtues dege në Kundër zbulimin e BVD. Gjatë viteve ’70-të, përgjegjës i degës që i kushtohej luftës kundër lëvizjes komuniste, më pas i degës së Kundërzbulimit me objektiv Gjermaninë Lindore dhe Çekosllovakinë.

Në ç‘forma proceduat në luftën kundër lëvizjes komuniste?

Misioni ynë ishte, së pari, të infiltroheshin agjentë në rrymat e ekstremit të majtë brenda vendit, rryma, që i konsideronim në vitet ‘70-’80-të, si më të rrezikshme, por, së dyti, edhe të destabilizonim Partinë Komuniste Holandeze “zyrtare”, subjekt politik relativisht i fuqishëm, i cili kishte pranuar rrugën politike parlamentare e, nuk pranonte të prononcohej as pro Moskës, as pro Pekinit.

Pas viteve ’60-të, situata në lëvizjen komuniste ndërkombëtare ndryshoi dhe, përveç Moskës, doli në skenë edhe Pekini me tendencën e qartë për t‘u shfaqur si një qendër tjetër e komunizmit botëror, në aleancë me komunistët e Tiranës. Në Holandë dolën disa grupe shumë të vogla komuniste, që u quajtën marksiste-leniniste. Përballë rrezikut që ato të bashkoheshin në një lëvizje më të fuqishme, që mund të rikthente praktika revolucionare në Perëndim, shërbimi ynë e gjeti me vend të krijonte një parti të re marksiste-leniniste, nga hiçi.

Bashkuat njerëzit tuaj me aktivistë të vërtetë komunistë?

Aspak. Partia Komuniste e Holandës marksiste-leniniste, gjatë dhjetë vjetëve, ndoqi “rrugën e drejtë”, botoi gazetën e saj “De Kommunist” dhe shpërndau në dalje të fabrikave trakte të ndryshme, që bënin thirrje për organizimin e revolucionit proletar. Por, Partia Komuniste Holandeze (marksiste-leniniste), ndonëse përbëhej nga anëtarë, që grupoheshin në celula me katër vetë, nuk ka ekzistuar ndonjëherë me të vërtetë.

Ajo ishte një krijesë e Shërbimit Sekret Holandez, që bashkëpunonte ngushtë me CIA-n Amerikane, degën e saj në Hagë. Asnjë nga anëtarët e saj nuk ishte aktivist komunist, maoist, trockist, pacifist, anarkist, etj. Thjesht, katër punonjës të BVD-së, u angazhuan me kohë të plotë për dhjetë vjet rresht, për të bërë veprimtari politike.

Si u quajt operacioni dhe kush ishte drejtuesi i tij?

Operacioni mori emrin kod “Mongol”, duke qenë se lidhej me lëvizje politike që e kishin qendrën në Kinë. Drejtimi operacional në nivelin më të lartë, nuk ishte as nga unë dhe as nga drejtori i BVD-së. Atë e drejtonte një oficer i lartë i CIA-s, i cili u dërgua posaçërisht nga SHBA-ës në Hagë. Ndërkohë, rolin e kryetarit të partisë, e luajti me virtuozitet Peter Boevé, me pseudonimin “Chris Petersen”.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste Holandeze (marksiste-leniniste), arriti të mashtrojë deri edhe udhëheqësit më të lartë shqiptarë e kinezë. Ky ish-mësues me mjekër të zezë, që u konsiderua si një revolucionar i pagabueshëm, i vetmi maoist holandez i njohur nga Tirana dhe Pekini, doli në fotografi me të gjithë zyrtarët e rëndësishëm të Shqipërisë e Kinës. Shpesh ai shkonte në Kopenhagë, por asnjë nuk e di përse-në: për t‘u zbavitur apo për të takuar një agjent rus. Këtë e di vetëm ai…!

Si i prisnin “aktivistët” tuaj në Tiranë e Pekin?

Unë këtë e di nga raportet e tyre. Në vendin tuaj (Shqipëri), duhet të keni mjaft njerëz që ta kenë përjetuar një gjë të tillë, apo edhe kanë qenë organizatorë të pritjeve, festave, kongreseve. Di se ata priteshin me lule, si vazhdues të veprës së Marksit e Leninit, në një kohë që partitë e mëdha komuniste, Tirana dhe Pekini, i akuzonte për “revizionizëm”, “tradhti ndaj parimeve themelore të lëvizjes marksiste”, priteshin si të vetmit komunistë të ndershëm dhe të denjë për këtë emër. Nga ana tjetër, ata trajtoheshin si miq të veçantë.

Shqipëria kishte tradita të pasura për mikpritjen, ndërkohë që Kina ishte një shtet i madh dhe nuk e kishte për gjë të hidhte në xhepin e mikut, disa mijëra dollarë, kur ky largohej. Destinacioni i këtyre fondeve ishte përhapja e ideve marksiste-leniniste, nëpërmjet mjeteve propagandistike, që në Perëndim kushtojnë jo pak.

Sa është sasia e fondeve që kanë dhënë udhëheqësit komunistë shqiptarë, në favor të kësaj partie?

Shifrën e saktë nuk mund ta them, për arsye të ndryshme, përfshi edhe faktin se Ministria e Brendshme, që mbulon sot Shërbimin e Sekret Holandez, më ndaloi aksesin në arkivat zyrtare.

E gjithë sasia e parave të marra, u përdor me të vërtetë për të zgjeruar aktivitetin e kësaj partie?

Një pjesë po. Këtë e vendosnin shefat e BVD-së. Pjesa tjetër përdorej për qëllime të tjera të Zbulimit e Kundërzbulimit. Ne fakt, ndihma financiare që mori kjo parti, bëri që asnjë fond të mos shkonte në adresë të një partie të vërtetë marksiste-leniniste në Holandë. Sipas analizave të BVD-së, në atë kohë, lëvizja marksiste-leniniste në vend, ishte shumë e vogël, por bënte mjaft zhurmë, dëgjohej shumë.

Nga Hans de Vreij, Radio Netherland

Para Shërbimeve të Zbulimit e të Sigurimit të Holandës (AIVD) ka dalë një problem: për herë të parë në histori, një nga ish-punonjësit e tij, po nxjerr të palarat në shesh, duke botuar pa autorizim kujtimet e tij.

Fjala është për 58-vjeçarin Frits Hoekstra, ish-nëpunës i paraardhëses së AIVD, që quhej në atë kohë BVD, (Shërbimi i Sigurimit të Brendshëm), i cili ka botuar një libër, ku jep hollësi lidhur me praktika të ndryshme të Zbulimit Holandez, si për shembull, infiltrimet e agjentëve në lëvizjet e majta e komuniste, gjatë viteve ‘70 dhe ’80-të. AIVD po studion mundësinë e ndërmarrjes së një veprimi ligjor kundër tij.

Fakti që ish-spiunë apo agjentë të Kundërzbulimit nxjerrin sekrete nuk është diçka e re. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe, janë botuar dhjetëra libra mbi veprimtarinë e Zbulimit. Deri tani, AIVD ka arritur gjithnjë t‘i detyrojë ish-punonjësit e tij, t‘i përmbahen betimit për ruajtjen e sekretit. Me botimin e librit “Në shërbim të BVD-së” (In Dienst van de BVD) në fillim të tetorit, Hoekstra e theu këtë rregull.

Për të përgatitur këtë libër, Hoekstra, i cili u largua nga shërbimi në vitin 1987, i kërkoi AIVD-së bashkëpunimin e saj, por kërkesa e tij, u hodh poshtë. Në vend të kësaj, ai mori një letër të ashpër, e cila e paralajmëronte se mund të ndiqej penalisht, në rast se bënte publike sekrete shtetërore. Ministri i Brendshëm holandez, Johan Remkes, i cili është përgjegjës për Shërbimet Inteligjente në vend, deklaroi në parlament më 14 tetor të këtij viti, se ai nuk është dakord që ish-punonjës të AIVD/BVD, të shkruajnë libra.

Ai urdhëroi zhvillimin e një hetimi që do të përcaktojë në se autori ka nxjerrë sekrete shtetërore apo ka shkelur të drejtën e jetës private të njerëzve që përmenden në libër. “Në rast se do të jetë e nevojshme, do të procedojmë me ndjekje penale”, – tha ministri.

Iluzionet që pasuan konfliktin ideologjik

Në fund të viteve ’50-të, sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, shpalli ndryshime të rëndësishme në vijën politike. Kjo bëri që, nga gjiri i militantëve tradicionalë komunistë, të ndahej një pakicë, e cila ishte më e lidhur me pjesën e ideologjisë marksiste, që bënte thirrje për përmbysje me dhunë të pushtetit.

Këto grupe krijuan partitë e tyre, kryesisht në Perëndim, por edhe në ndonjë vend të Lindjes, si Polonia, duke u mbiquajtur Parti Komuniste marksiste-leniniste. Partia e Punës e Shqipërisë, pas shpalljes hapur të konfliktit me Partinë Komuniste në Bashkimin Sovjetik e ‘Kampin Socialist’ të kohës, dhe formimin e një fronti politik e ideologjik me komunistët kinezë, pati iluzionin se tek këto grupe, do të gjente bërthamën e riorganizimit të lëvizjes komuniste, mbi bazat tradicionale.

Në vitet ’60-të, por sidomos dy dekadat e ardhshme, Tirana – ashtu si edhe Pekini – u kthyen në vende pelegrinazhi të lloj-lloj grupeve, të cilat, në fakt, përfaqësonin parti tepër të vogla, në shumë raste me katër-pesë anëtarë, me përjashtim vetëm të Brazilit. Pavarësisht nga një dëshirë e përjetshme, Enver Hoxha nuk mundi të organizojë një “Internacionale Marksiste-Leniniste”, me këto parti dhe me këta elementë.

Por, PPSH-ja mori përsipër, midis të tjerash, edhe detyrën e ndihmës financiare në adresë të tyre, duke qenë se ajo ishte në pushtet. Agjentët e Kundërzbulimit Shqiptar, asnjëherë nuk zbuluan “armiq”, në radhët e atyre që konsideroheshin shpresa e “revolucionit” të ardhshëm proletar në Perëndim. Rasti i Partisë Komuniste Holandeze (marksiste-leniniste) është i pari në llojin e vet. Megjithatë, në opinionin shqiptar është përfolur edhe në të kaluarën, për “marksistët” e Fosko Dinuçit në Itali, të cilët morën fonde nga Shqipëria dhe i përdorën për zhvillimin e biznesit të tyre atje, etj.

“BVD-ja gjithashtu depërtoi me sukses në organizata radikale të ekstremit të majtë, të tilla si gjermano perëndimorja RAF (‘Rote Armee Fraktion’ – ‘Reparti i Ushtrisë së Kuqe’)”, – shkruan Hoekstra në kujtimet e tij. “Ne qëndruam brenda kësaj organizate gjithë kohës. Ishim kaq mirë të pozicionuar në celulat e këtij grupi, sa që arrinim të parandalonim aksione të ndryshme, në sajë të besueshmërisë të burimit tonë”.

Frits Hoekstra ve në dukje se, me aq sa di, as gjermano lindorët dhe as KGB-ja sovjetike, nuk arritën të kishin një të infiltruar në BVD-në. Një gjë e tillë, mund ta klasifikojë Shërbimin Sekret të Holandës, si më të suksesshmin ndër shumë shërbime të tjera Perëndimore, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. As CIA dhe as MI5 e MI6 britanik, nuk e gëzuan një luks të tillë! Memorie.al