Ballina Kronika Dogji 4 banesa dhe rrezikoi jetën e banorëve në Kakavijë, arrestohet zjarrvënësi

Dogji 4 banesa dhe rrezikoi jetën e banorëve në Kakavijë, arrestohet zjarrvënësi

0
23

Një 39-vjeçar është arrestuar në Dropull si autor i zjarrvënies së djeshme në fshatin Kakavije, ku flakët dogjën katër banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore, duke rrezikuar jetën e banorëve.

Sipas Policisë, K. V., 39 vjeç, banues në këtë fshat, gjatë punës në banesën e tij me troko, ka shkaktuar zjarr, i cili është përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë.

Falë ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, Zjarrfikëses, FRONTEX-it, Forcave të Armatosura dhe helikopterëve të autoriteteve greke, u bë e mundur evakuimi i banorëve dhe shuarja e flakëve.

Policia e Gjirokastrës e identifikoi dhe arrestoi menjëherë autorin, ndërsa ndaj tij janë referuar materialet në Prokurorinë e Gjirokastrës për veprat penale:

  • “Shkatërrimi i pronës me zjarr”
  • “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”

Policia apelon qytetarët të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe t’i denoncojnë rastet në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.

Njoftimi i policisë:

Dropull/Identifikohet dhe nxirret përpara përgjegjësisë penale, autori i zjarrvënies së djeshme, në fshatin Kakavije.

Gjatë punës me troko, ndezi zjarr që rrezikoi jetën e banorëve, si dhe dogji 4 banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore, arrestohet 39-vjeçari.

Banorët u evakuan nga shërbimet e Policisë, ndërsa zjarri u shua si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të Zjarrfikëses, Policisë së Shtetit, FRONTEX-it dhe Forcave të Armatosura, të asistuara nga helikopterë të autoriteteve greke.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas njoftimit se në fshatin Kakavije kishte rënë zjarr, Policia e Gjirokastrës ka mundësuar identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit K. V., 39 vjeç, banues në këtë fshat.

Nga këto veprime rezultoi se 39-vjeçari, gjatë punës në banesën e tij, me troko, ka shkaktuar zjarr, i cili i favorizuar nga era e fortë, ka rrezikuar jetën e banorëve në fshatin Kakavije, si dhe ka djegur 4 banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.