FIFA ka vendosur një sanksion të ashpër ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) pas fyerjeve raciste, gjesteve diskriminuese dhe sjelljeve të tjera të papërshtatshme nga tifozët gjatë ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Andorrës, e luajtur më 10 qershor në Serbi.
Siç është njoftuar zyrtarisht nga Federata serbe, Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka vendosur një gjobë prej 50,000 frangash zvicerane dhe mbylljen e 15% të tribunave pas portave (afërsisht 8,100 vende) për ndeshjen e ardhshme kualifikuese në shtëpi, të planifikuar për 9 shtator në Beograd kundër Anglisë.
Federata serbe shfrytëzoi rastin për të nisur një apel të përsëritur drejt tifozëve për lojë të ndershme dhe mbështetje me respekt. “Ne jemi nën vëzhgim nga FIFA dhe UEFA. Ka zero tolerancë për sjellje të caktuara. Çdo incident mund të çojë në sanksione të reja nga FIFA dhe madje të çojë në ndeshjen kundër Shqipërisë në Beograd më 11 tetor që do të luhet para tribunave bosh.”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Tani Serbia rrezikon sanksione edhe më të ashpra, duke përfshirë mundësinë e luajtjes së ndeshjes kundër Shqipërisë më 11 tetor në Beograd pa praninë e publikut. Kujtojmë se përballja Serbi – Shqipëri është e rëndësishme si brenda edhe jashtë fushe, duke mos harruar dhunën që tifozët serbë ushtruan ndaj futbollistëve të Shqipërisë më 14 tetor 2014 në Beograd, me ndeshjen që u pezullua dhe u fitua 0-3 në tavolinë nga Shqipëria.
Në këtë pikë vlen të kujtohet se edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) u dënua me 173 mijë euro gjobë nga Komisioni i Disiplinës së FIFA-s, për thirrjet raciste të tifozëve tanë në ndeshjen kundër Serbisë, zhvilluar më 7 qershor në Tiranë.