Para 80 vitesh, nga data 17 korrik deri me 2 gusht 1945, në Potsdam të Gjermanisë, u mblodhën 3 të Mëdhenjtë fitues të Koalicionit Antifashist, që diskutuan e morën vendime për aktet politike, juridike, ushtarake e administrative ndaj Gjermanisë hitleriane të mundur. Për afro 3 javë u ulën në një tavolinë, Presidenti Truman, udhëheqësi komunist Stalin dhe kryeministri britanik Churchill. Ambasadori Bashkim Zeneli “Mjeshtër i Madh”, bën një pasqyrim shumë të hollësishëm të kësaj Konference. Autori nuk ka munguar të na japë edhe një pamje në detaje, historike, kulturore, sociale dhe ekonomike të qytetit mijëra vjeçar të Potsdamit.
Nuk kanë shpëtuar pa u pasqyruar edhe detaje shumë interesante nga zhvillimi i mbledhjes, debate dhe batuta midis 3 Udhëheqësve të Mëdhenj. Por kjo Konferencë do të shënonte edhe fillimin e nisjes së Luftës së Ftohtë midis dy blloqeve, e cila do të vazhdonte deri me shembjen e Murit te Berlinit, në nëntor 1989…..Për të nisur më pas përsëri me agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Sot po jetojmë në një botë plot rreziqe, të pasigurtë, me kërcënime dhe luftëra. Paqja e siguria janë më të dobëta se kurrë…
NGA BASHKIM ZENELI
Më 11 maj 1945, vetëm pak ditë mbas fitores mbi nazifashizmin, presidenti amerikan Harry Truman, miratoi planin e hartuar nga shefat e shtabit të ushtrisë amerikane, të 26 prillit, që u konsiderua si direktiva YCS1067. Në thelb plani përmbante politikën amerikane në zonën e pushtimit. Kjo direktivë, së pari, bënte përgjegjës udhëheqjen naziste që shkatërroi totalisht ekonominë gjermane dhe e futi vendin në një kaos të jashtëzakonshëm. Së dyti, në të theksohej se “Gjermania nuk pushtohet për shkak të çlirimit të saj, por si një shtet i mundur armik”, dhe së treti, “Qëllimi kryesor i aleatëve është të pengojë Gjermaninë të kërcënojë përsëri paqen botërore” Politika e shteteve fituese në zonat e pushtimit, apo të administruara prej tyre, kishte për qëllim: Demilitarizimin, denazistifikimin, decentralizimin dhe demokratizimin.
Më vonë, në janar 1946, ky qëndrim u shoqërua edhe mbi bazën e Protokollit të Potsdamit, me direktivat dhe mekanizmat e nevojshëm për denazistifikimin e shoqërisë gjermane. Ato u përfshinë të detajuara në Direktivën N24 të Këshillit të Kontrollit të aleatëve.
Konferenca e Potsdamit u mbajt nga 17 korriku deri më 2 gusht 1945. Koalicioni antifashist fitues do të vendoste menjëherë, për të ardhmen e Gjermanisë së mundur. Potsdami është kryeqyteti i Landit të Brandenburgut, ku ndodhet edhe Berlini, por që është Land më vete.
Potsdami ishte vetëm disa kilometra nga Berlini. E kam vizituar me dhjetëra herë këtë qytet historik, edhe për shkak të shoqërimit për interesin që shfaqnin shumë miq të mijë që vinin nga Shqipëria në Berlin. Por edhe delegacionet zyrtare tonat, përgjithësisht kishin të programuar nga protokolli i shtetit një vizitë në këtë qytet.
Ka pafundësisht botime, libra, albume, dokumentarë që flasin për këtë qytet e sidomos për konferencën që mori emrin e Potsdamit.Pa dyshim mrekullia e Potsdamit është kështjella dhe pallati siç quhet, Sanssousi, rezidenca verore e princeshës së fundit të kurorës Cecilien Hof.
Pallati është skicuar nga Frederiku i Madh, me mjeshtër ndërtimi Georg Wenseslaus, në një kodër me vreshta të pafundme, fillimisht si rezidencë verore e më vonë edhe rezidencë zyrtare shtetërore. Është në stilin e njohur rokoko dhe ka 322 dritare, një sallë të madhe të punuar vetëm me mermer të zgjedhur, një bibliotekë të famshme, salla koncertesh muzikore, galeri pikturash, disa salla ekspozitash, etj. Vetë Frederiku i Madh, tepër i pasionuar pas artit, pikturës, muzikës, ka luajtur në vitet 1750-1757 me orkestrën e Potsdamit pjesë për flaut nga kompozitori i madh Menzel.
Pallati ka një park shumë të bukur përpara, të pafund, me një gjelbërim të rrallë. Aty ndodhet një ndërtesë e vogël po shumë e bukur, me një stil të veçantë: shtëpia kineze e çajit. Ajo u ndërtua me porosi të Frederikut të Madh si një admirues i madh i modës së atëhershme kineze.
Ai e ktheu Potsdamin, në fund të shekullit të 17 dhe në fillim të shekullit të 18, edhe me porositë dhe projektet që kishte lënë në të gjallë, në një qendër kulturore dhe artistike nga më të njohurat në Evropë. Në vitet 1735-1755, ndërtoi një bashki plot solemnitet. Atij i përket edhe ndërtimi i kishës Nikolai, e përuruar në vitin 1837 e që ishte ndër më të bukurat në Evropë. Për këtë kishë u zbatua plotësisht plani dhe arkitektura e miratuar nga Frederiku i Madh.
Kush e ka vizituar qytetin e Potsdamit, pa asnjë dyshim që është mrekulluar nga monumentet e statujat aq të bukura. Ato, në më të shumtën, janë ndërtuar në pjesën ku jetonte komuniteti holandez. E gjithë ajo zonë është ndërtuar nga Frederiku i parë Wilhelm që kishte jetuar në Holandë nga viti 1705- 1710. Me kthimin e tij, solli me vete edhe projekte të mëdha ndërtuese. Përgjithësisht qytetin dominojnë ndërtime të mëdha të stilit neo-gotik, me një qendër të madhe tregtare, që u ndërtua nën shembullin e një sheshi të njohur romak, në vitin 1750. Potsdami, nga ato që kam lexuar, përmendet për herë të parë në vitin 993, në atë kohë me një zhvillim të vrullshëm jo vetëm ekonomik dhe tregtar, por edhe kulturor e artistik. Në vitet 1650-1700 u bë një nga qendrat më të njohura në Evropë. Aty u organizua mbledhja e 3 fuqive të mëdha, fituese të luftës kundër nazi-fashizmit. Në atë dhomë jo shumë të madhe, ndodhet çdo gjë si në ato ditë të mbledhjes, edhe penat, edhe boja që u hodh mbi atë marrëveshje, sigurisht historike, që në radhë të parë simbolizon mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, fitoren e madhe të popujve dhe vendeve të koalicionit antifashist.
Por në një farë mënyrë, edhe me veprimet politike të mëvonshme, Konferenca e Potsdamit shënon edhe fillimin e ndarjeve të reja, ndëshkimin e merituar për Gjermaninë, por edhe ndarjen e pamerituar të saj. Në vitet e mëvonshme, duket se Potsdami do të ishte edhe pikënisja e një ndarjeje të madhe, të gjatë, të lodhshme, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për Evropën. Aty duket se zuri fill edhe fillimi i Luftës së Ftohtë, i ndarjes së sistemeve, i demokracisë dhe diktaturës. Aty zë fill edhe ndërtimi i Murit famëkeq të Berlinit, që u ngrit si një perde e hekurt që fliste aq shumë për ndarjen, për përplasjen, për inatet, për mëritë, për dramat, për lotët, për vrasjet, deri në shembjen e tij, pas 44 vjetësh, po aty, fare afër Potsdamit, në Berlin. Në Potsdam ishte vendosur aleanca e fshehtë midis Rusisë dhe Prusisë. Në Potsdam ishte zhvilluar në vitin 1933 konferenca që pati si qëllim të dokumentonte legjitimitetin e vazhdimësisë së regjimit të Hitlerit me historinë e Prusisë.
Në Potsdam u ulën presidenti amerikan Truman, udhëheqësi sovjetik Stalin dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe Churchill. Ndonëse ishte biseduar edhe në takimet e mëparshme, aty u vendos edhe ndarja e Gjermanisë në zonat e pushtimit. Më pas, këtyre 3 zonave u bashkohet edhe Franca. Zona sovjetike do të ishte në pjesën lindore, nga veriu në jug, zona amerikane në pjesën qendrore e në jug, zona franceze në jug-perëndim dhe ajo britanike në pjesën veriperëndimore. Dhe po kështu, në 4 sektorë u nda edhe Berlini dhe përsëri pjesën e tij lindore e morën sovjetikët, një territor gati-gati sa 3 aleatët së bashku. Secila fuqi do të administronte nën përgjegjësinë e vet atë pjesë të territorit që i ishte dhënë. Kjo ndarje natyrisht do të përcaktonte që në fillim edhe rendin e ri politik të pasluftës, socializmin dhe kapitalizmin, diktaturën dhe demokracinë. Lindja e Gjermanisë, e pushtuar e jo thjesht e administruar nga sovjetikët, përjetoi për 45 vjet vendosjen e sistemit socialist dhe diktaturën komuniste, si pjesë e një blloku të tërë lindor komunist të pasluftës. Ndërsa në perëndim të Gjermanisë, ku ishin vendosur 3 fuqitë perëndimore, Franca, SHBA dhe Britania e Madhe nisi ndërtimi demokracisë, i shtetit të së drejtës, i ekonomisë së tregut, i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
“Aleatët – thuhet në deklaratën e Konferencës, donin t’i jepnin popullit gjerman mundësinë për një fillim të ri, në paqe dhe në liri”. Shtëpia e Bardhë, që përfaqësohej nga Presidenti Truman, ishte vendosur në Kaiserstrase 2, Kryeministri britanik Churchill kishte rezidencën në Ringstrase 23. Ajo kishte qenë vila e ministrit nazist Funk. Të dy këto rezidenca ishin jashtë Potsdamit, në Babelsberg. Nga SHBA dhe B. Madhe ishin akredituar 150 gazetarë. Por edhe pas protestave të shumta, ata nuk u lejuan të qëndrojnë në sallën e konferencës, por vetëm për pak minuta të fillimit. Ndërsa sovjetikët e konsideronin veten si në shtëpinë e tyre… Por edhe Presidenti Truman, po kështu e konsideronte veten. Stalini e konsideronte Potsdamin si pjesë të zonës së tij të pushtimit. Vendi i mbledhjes ishte rrethuar nga forca të jashtëzakonshme ushtarake, me radhë të gjatë telash, por edhe me kulla vrojtimi. Sovjetikët u drejtoheshin amerikanëve dhe britanikëve me . “Mirë se erdhët në shtëpinë tonë”…
Të parët në Potsdam erdhën Presidenti Truman dhe Kryeministri Churchill, ndërsa Stalini erdhi 24 orë më vonë. Filluan edhe reagimet e para protokollare: “Amerikanët dhe britanikët, me anë të një note sovjetike, u këshilluan miqësisht që të mos i drejtoheshin udhëheqësit sovjetik me “Marshalli Stalin” siç ishte bërë në Jaltë, por me titullin “Gjeneralizëm”.
Në çdo veprim, para, por edhe gjatë konferencës, sovjetikët përpiqeshin ta tregonin veten si fitues të vetëm ndaj Hitlerit, ndonëse pa asnjë diskutim, kishin luajtur rolin kryesor dhe kishin mbajtur peshën më të madhe të luftës. Por këto ishin shenja aspak të mira për të ardhmen e bashkëpunimit me aleatët perëndimorë…
Në fillim të mbledhjes Stalini paraqiti një tablo të humbjeve në luftë. Ato ishin edhe tregues i së drejtës për të qenë “zot shtëpie” në këtë konferencë, ndonëse faktet e paraqitura ishin tronditëse: “Përveç 21 milionë të rënëve, në Bashkimin Sovjetik ishin shkatërruar plotësisht dhe pjesërisht 1710 qytete, midis të cilëve Stalingradi, Sevastopoli, Kievi, Leningradi, Odesa, Minsku, Surolensku, etj., 70 mijë fshatra ishin shkrumbuar krejtësisht, 30 milionë vetë kishin mbetur pa strehë, 64 mijë km hekurudhë, 815 fabrika, 13 mijë ura, nuk ekzistonin më.”
Presidenti amerikan Truman që aty u shfaq i gatshëm për të ndihmuar Bashkimin Sovjetik në rindërtimin evendit. Ai shpresonte se komunizmi, pas luftës, do të liberalizohej, në kuptimin e një zhvillimi dhe se kushtet për paqe e qetësi në botë, për të ardhmen e saj, do të afronin Bashkimin Sovjetik me demokracitë perëndimore, sidomos me SHBA.
Por historia e mëvonshme tregoi qartë se Stalini vendosi ndryshe: vija për të ardhmen e historisë së vendeve dhe popujve do të përcaktohej prej tij, nga një njeri i vetëm! Fitorja e luftës kundër nazifashizmit e kishte glorifikuar si kurrkush emrin dhe kultin e tij. Marshallët dhe gjeneralët heronj të luftës së madhe patriotike, u quajtën të gjithë nxënës të Stalinit, që ishin rritur të tillë në saj të udhëheqjes së ndritur të Stalinit. Kjo frymë do të dominonte punimet e konferencës, që nisin në 17 korrik 1945, në orën 17.00, në atë tavolinë të madhe, të rrumbullakët.
Po atë ditë, para mbylljes së punimeve të para, Presidenti amerikan Truman njoftohet nga Ministri i tij i luftës Henry Stimson, se “Fëmija kishte lindur i shëndetshëm dhe mjekët ishin shumë të kënaqur”. Bëhej fjalë për provën me sukses të bombës atomike në Sierra të New Mexico”. Ky lajm e gëzon pa masë Presidentin amerikan Truman, por ai i deklaron bashkëpunëtorëve të tij se: “Do të presë deri më 24 korrik dhe pastaj do t’i them Stalinit se prodhuam një bombë me fuqi të jashtëzakonshme”./panorama