Importet e materialeve të ndërtimit ishin me rënie në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, në krahasim me të njëjtën periudhë si në sasi ashtu edhe në vlerë, duke sinjalizuar një lëvizje më të butë të volumeve të ndërtimit këtë vit.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë janar-qershor 2025 janë importuar rreth 719 mijë tonë materiale ndërtimi dhe metale, duke shënuar një rënie prej 8.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur u importuan mbi 786 mijë tonë. Në aspektin e vlerës, importet e këtyre materialeve arritën në afro 58.9 miliardë lekë, me ulje vjetore rreth 7 për qind.
Importet në vlerë të materialeve të ndërtimit janë në tendencë zbritëse që prej vitit 2022, kur ato kapën vlerën rekord prej mbi 68.2 miliardë lekësh. Në vitin 2023, kjo shumë zbriti në 64.2 miliardë, ndërsa këtë vit ka vijuar rënia (shiko grafikun e mëposhtëm).
Kulmi i importeve në sasi është arritur në vitin 2024, me mbi 786 mijë tonë, ndërsa në vlerë kulmi mbetet gjashtëmujori i parë i vitit 2022.
Ecuria e importeve reflekton rezultatet e dinamikave të tregut të ndërtimit në vend, ndryshimeve në kostot e ndërtimit, ritmit të investimeve publike e private, si dhe luhatjet në çmimet e lëndëve të para në tregjet globale. Materialet e ndërtimit janë grupi i katërt më i madh i importeve, pas makinerive, ushqimeve dhe produkteve kimike dhe plastike.
Në gjashtëmujorin e parë 2025 ky grup zuri 13.6% të totalit të importeve, nga 14.3% në të njëjtën periudhë të 2024.
Kjo ecuri reflekton edhe një ngadalësim të dukshëm të aktivitetit të ndërtimit në vend, si pasojë e përfundimit të disa projekteve të mëdha publike dhe një ngurrimi të sektorit privat për të nisur investime të reja në kushte të pasigurisë ekonomike dhe të kostove financiare.
Nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë ndërtues po presin që tendenca e çmimeve të apartamenteve të jetë në ulje në muajt në vijim. Indeksi i besimit i Bankës së Shqipërisë për sektorin e ndërtimit në muajin qershor tregoi se po rritet numri i ndërtuesve që besojnë se çmimet do të jenë në rënie. Pritjet për çmimet dhe për punësimin në të ardhmen janë vlerësuar me rënie. /monitor