Zjarri që nisi dy ditë më parë në zonën e Kalasës dhe Tatzatit në Delvinë, ka marrë përmasa të mëdha dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në fshatin Senicë dhe rrethinat e tij.
Flakët, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat përvëluese mbi 40 gradë Celsius, janë përhapur me shpejtësi nga zona e quajtur Hallastar, duke hyrë në brendësi të fshatit dhe përfshinë banesa, sipërfaqe ullishteve dhe pemë frutore, raporton KosovaPress.
Në fshatin Senicë janë djegur 11 shtëpi, disa prej të cilave ishin ndërtuar së fundmi si investime në agro-turizëm.
Mes objekteve të djegura është edhe kisha 200-vjeçare e Shën Dhimitrit, monument kulture i kategorisë së parë, e cila është shkatërruar plotësisht nga flakët.
Banorët janë gjetur të papërgatitur për përmasat e zjarrit, ndërsa shumë prej tyre, të moshuar dhe pa mundësi lëvizjeje, kanë mbetur të bllokuar në banesat e tyre në momentin kur flakët kanë hyrë në fshat.
Gjatë mesditës së sotme janë raportuar thirrje për ndihmë nga disa banesa, çka ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për evakuimin e tyre. Autoritetet nuk raportojnë për lëndime në njerëz, por për dëme të mëdha materiale.
Përpjekjet për shuarjen e zjarrit janë penguar edhe nga infrastruktura e brendshme e fshatit.
Gardhet e vendosura nga një banesë në tjetrën kanë pamundësuar hyrjen e mjeteve zjarrfikëse në disa zona, duke e vështirësuar ndjeshëm neutralizimin e vatrave aktive. Terreni i thyer kodrinor, mungesa e rrugëve të aksesueshme dhe tymi i dendur kanë bërë që ndërhyrja nga toka të jetë e kufizuar.
Për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve, janë angazhuar edhe dy helikopterë, të cilët kanë operuar nga ajri që prej ditës së djeshme deri në momentin kur errësira dhe kushtet e motit e kanë bërë të pamundur vazhdimin e operacionit ajror. Megjithatë, flakët janë riaktivizuar gjatë natës për shkak të erës, duke shtuar rrezikun për vatra të reja dhe dëme të tjera.
Një tjetër rrezik serioz për forcat zjarrfikëse i hasur gjatë operacionit kanë qenë shpërthimet sporadike të municioneve të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.
Banorët e Senicës janë përfshirë aktivisht në përpjekjet për të ndaluar përhapjen e zjarrit. Kryetari i fshatit Llambi Nika, shprehet se aktualisht, situata mbetet e paqëndrueshme.
“Flakët janë të shtrira në një rreze prej disa kilometrash dhe rreziku për riaktivizim pranë zonave të banuara është ende i pranishëm. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e zjarrvënies së qëllimshme”.