Pas njoftimit nga SPAK se i ishin komunikuar akuzat kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe personave të tjerë të përfshirë në dosjen e tij hetimore, kanë filluar të zbulohen aktet, pasi këto të fundit janë nga avokatët mbrojtës në SPAK.
Në fakt, deri më tani, mediat kanë raportuar për dy persona për të cilët kanë ndryshuar dëshminë dhe kanë bashkëpunuar me drejtësinë.
E para është Adela Kondakçiu, ish-financiere dhe një nga njerëzit më të afërt të Ajola Xoxës dhe e para grua që bëhet e penduar e SPAK.
I dyti është Gentian Sula i NOA-s, i cili në fakt, fillimisht u raportua se ishte njeriu që kishte dalë garant për 115 mijë eurot, por siç u raportua sot nga mediat, edhe nga CNA, ai më pas ka ndryshuar dëshminë e tij dhe ka deklaruar se gjithçka e ka përgatitur Ajola Xoxa.
Kush është personi i tretë
Është një përson i tretë në akte, që ka dhënë dëshmi kundër Ajola Xoxës dhe ka ndihmuar SPAK-un në gjetjen e provave. Mjafton të lexohen aktet dhe lehtësisht shihet se Marisa Nito (Abule), gruaja e të shumëpërfolurit Elman Abule, miku i Erion Veliajt që ka udhëtuar larg me të, deri në Japoni, ka dhënë detaje jo të parëndësishme për SPAK-un.
Akuzat ndaj Abules
Elman Abule është një personazh jo pak i njohur për drejtësinë. Elman Abule është biznesmeni me shtetësi belge, të cilit iu sekuestruan 50 milionë euro.
Sipas prokurorisë, nga hetimi i kryer, u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit Elman Abule në bashkëpunim me shtetasin K. B., E. B. etj., kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre.
Abule rezultoi i dënuar në Belgjikë, ku ka kryer edhe dënimin në kuadër të grupeve kriminale. Gjithashtu nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka konsumuar edhe veprën penale të “Kontrabandës me mallra të licencuara”, parashikuar nga neni 173 i Kodit Penal.
Në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, shtetasi Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme. Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të shtetasve K. B. apo V. A., kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale.