Eksportet në vlerë drejt Gjermanisë në 6-mujorin e këtij viti shënuan rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Referuar të dhënave, eksportet drejt Gjermanisë llogariten 12.2 miliardë lekë, nga 11.1 miliardë lekë që llogariteshin për të njëjtën periudhë në 2024-ën.
Në rritjen e eksporteve me rreth 1.1 miliard lekë, ndikimin kryesor e dha grupi tekstile dhe këpucë. Të dhënat tregojnë se nga 12.2 miliardë lekë që ishte vlera e eksporteve, eksportet e tekstileve dhe këpucëve ishin në vlerën e 5.4 miliardë lekëve.
Ndryshe nga eksportet, importet shënuan rënie me rreth 1.5 miliard lekë përkundrejt 2024-ës, duke zbritur në 29.8 miliardë lekë nga 31.3 miliardë lekë që ishin në 2024-ën.
Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë në 6-mujorin e vitit 2024 llogariten në rreth 7.6 % të totalit, duke e renditur këtë vend si partnerin e katërt tregtar të vendit tonë.
Qeveria federale ka investuar në Shqipëri që prej vitit 1988 më shumë se 1.2 miliard euro në formë grantesh dhe kredish, gjë që e shndërron Gjermaninë një ndër donatorët bilateralë më të mëdhenj në vend.