Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Totali”, duke kapur dhe ndaluar dy shtetas të shpallur në kërkim për vepra penale të mashtrimit me pasoja të rënda.
Në sajë të informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e: A. O., 42 vjeç, i cili u kap në zonën e “Xhamllikut”, pasi akuzohet se ka mashtruar disa shtetas duke iu marrë parapagesa që shkonin deri në 400 000 lekë, me premtimin për të kryer punime me duralumin, të cilat nuk i realizonte.
S. R. (H)., 27 vjeç, u ndalua në zonën e “Alliasit”, pasi kërkohej nga Policia e Elbasanit. Ai akuzohet se, në bashkëpunim me tre persona të tjerë, ka mashtruar një shtetas më 31.04.2024, duke i marrë shumën e 100 000 eurove me pretendime të rreme.