Ballina Sport Pato: Allegri një garanci për Milanin, Ancelotti i veçantë për mua!

Pato: Allegri një garanci për Milanin, Ancelotti i veçantë për mua!

16
0

Ish-sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, ka folur me dashuri për klubin ku shkëlqeu, duke komentuar edhe rikthimin e Massimiliano Allegrit në pankinën kuqezi.

“Të shohësh Allegrin sërish te Milani më rikthen kujtimet e bukura të titullit që fituam së bashku. Kishim një skuadër me kampionë si Ibrahimovic, Thiago Silva, Gattuso, Pirlo, Seedorf, Nesta… Ishim një grup i jashtëzakonshëm dhe e kthyem Milanin në majë. Shpresoj që këtë ta arrijnë edhe lojtarët aktualë.”

Sipas brazilianit, objektivi kryesor duhet të jetë kualifikimi në Champions League, ndërsa Allegri e konsideron si një nga trajnerët më të mirë në qarkullim: “Ai është një garanci, ka mbetur po ai si 15 vite më parë dhe di si të fitojë dashurinë e grupit.”

Pato foli gjithashtu me superlativa edhe për Carlo Ancelottin, tani trajner i kombëtares së Brazilit: “Për ne brazilianët është një nder të kemi një trajner kaq fitues. Carlo ka qenë një njeri shumë i veçantë për mua, më solli te Milani dhe më ndihmoi të rritem.

Ai do të ketë sukses edhe me Brazilin, pasi është ndër të paktët që mund të përballojë presionin e asaj pankine. Mund të fitojë Botërorin.”

Duke komentuar edhe trajnerët e tjerë të suksesshëm, Pato u shpreh i impresionuar nga Antonio Conte që fitoi menjëherë titullin me Napolin: “Napoli po bën shumë mirë sepse ka një president dhe një trajner shumë të fortë.

Sezoni i kaluar ishte fantastik dhe tani po vazhdojnë të investojnë, sepse Interi kërkon të rikthehet në majë. Milani, pas një viti të vështirë, ka nisur një kapitull të ri. Me Allegrin në krye, shpresoj ta shoh sërish në majë.”