Ballina Kuriozitete Pitagora ishte “babai” i të gjithëve ne

Pitagora ishte “babai” i të gjithëve ne

16
0

Në fillim ishte Pitagora. Ishte ai i pari që e quajti veten filozof. Ishte i pari që mbrojti pavdekësinë e shpirtit dhe rimishërimin. Ishte i pari që zbuloi ligjet sekrete të matematikës dhe harmonisë muzikore. Ishte i pari dijetar që u mor me politikë dhe kushtetuta, me mjekësi dhe me yje. Ishte i pari ndër italikët, themeluesi i Magnae Graeciae, një koloni më e madhe se vetë nëna Greqi. Dhe ishte i pari që themeloi një shkollë italike.

Pas tij erdhi shkolla eleatike e Parmenidit në pjesën perëndimore të Italisë, Empedokli në Siçili, e të tjerë. Pitagora themeloi urtësinë në kryqëzimin midis teologjisë dhe mendimit, midis mitit dhe shkencës, midis kultit dhe muzikës, politikës dhe edukimit, mjekësisë dhe astronomisë; dhe e konsideroi qendrën e urtësisë pikërisht në lidhjen organike mes dijeve, praktikave, riteve dhe mistereve.

Thuaj Pitagora dhe njerëzit mendojnë për teoremën që mban emrin e tij ose më së shumti për tryezën pitagoriane. Ose nëse përmend urtësinë ezoterike të Pitagorës, dikush mendon për masonerinë dhe arkitekturën e saj sekrete nga e cila Pitagora mori frymëzim.

Por Pitagora, i përkushtuar ndaj Apollonit, nxënës i Orfeut, mësues i Platonit dhe i shumë filozofëve dhe matematikanëve, ishte më shumë se kaq, u konsiderua pothuajse si një perëndi, një urë mes njerëzores dhe hyjnores; disa dëshmi tregojnë se Pitagora kishte një kofshë prej ari, si provë e origjinës së tij të mbinatyrshme. Ai vetë thoshte për veten se kishte lindur nga fara më të fuqishme se ato njerëzore. Por për të, vetëm e vërteta të bën të ngjashëm me perënditë.

Pitagora lindi rreth vitit 572 para Krishtit në Samos, në Greqi, por familja e tij kishte origjinë etruske dhe tirrene; babai i tij Mnesarko ishte gdhendës i gurëve të çmuar, një art i shenjtë. Pitagora u iniciua në Misteret nga egjiptianët, kaldeasit, hebrenjtë dhe magjistarët. Por jeta e tij lulëzoi në Jug të Italisë, veçanërisht në Krotone dhe Metapont.

Porfirius tregon se në një leksion të vetëm të mbajtur “menjëherë pas zbarkimit në Itali”, Pitagora mblodhi rreth vetes mbi 2000 njerëz të cilët, pasi e dëgjuan, vendosën të mos ktheheshin më në shtëpitë e tyre dhe ndërtuan një shtëpi të madhe dëgjuesish, duke themeluar atë që të gjithë e quajtën Magna Grecia e Italisë.

Nuk është rastësi që Ernst Bloch thoshte: “Italia është vendi ku gjithçka fillon”. Pitagora është shembulli më i ndritshëm i asaj urtësie antike greke dhe italike për të cilën shkroi Vico. Në atë shkollë, Pitagora mësonte doktrinën mistike, vendoste ligje për italikët, krijonte një komunitet; qytetet çliroheshin, përshkoheshin nga urtësia e tij, nga Sicilia në Taranto. Në shkollën e tij sundonte një dietë vegjetariane, disiplina e jetës, heshtja, veçanërisht për fillestarët, përçmimi i famës dhe pasurisë; të mirat ishin të përbashkëta, por kushdo që tregonte se nuk ishte i denjë për t’i përkitur (shkollës) përjashtohej si i huaj i një race tjetër dhe merrte dyfishin e të mirave që kishte vënë në bashkësi. Një lloj shpërblimi ngushëllues dhe largim me nder për ata që nuk ndiqnin udhën e përjetësisë. Në fillim dhe në fund të çdo dite duhej bërë bilanci: çfarë ke bërë, ku gabove, cilin detyrim nuk e përmbushe.

Pitagora hapi shkollën edhe për fëmijët dhe gratë – e famshme ishte dishepullja e tij Teano – e cila këshillonte që të mos keqtrajtoheshin gratë. Në shkollën e tij trajtoheshin sëmundjet e trupit, injoranca e shpirtit, shthurja e barkut, mosdëgjueshmëria publike, përçarja e njerëzve, mungesa e masës. Praktikohej respekti ndaj natyrës, ndaj bimëve dhe kafshëve; ndalohej ngrënia e mishit, pirja në bankete dhe flijimet. Mësohej miqësia mes njerëzve dhe me kozmosin, përfshirë qëndrimin dhe stilin.

Dishepujt ndaheshin në pitagorikë dhe pitagorikas, domethënë matematikanë ose akuzmatikë, ezoterikë ose eksoterikë. Më pas shkolla nxiti zili dhe hakmarrje, aq sa ndjekësit e Cilones (një lloj pararendës i mafies së sotme?) vendosën shkatërrimin e shkollës dhe masakrimin e ithtarëve të saj. Pitagora u strehua në Metapont, ku edhe vdiq. Shtëpia e tij u kthye në një tempull kushtuar Demetrës (një bazilikë neopitagorike u zbulua në vitin 1917 në Romë, te Porta Maggiore).

Pitagora nuk la shkrime – përveç një përmbledhjeje poetike të njohur si “Vargjet e artë”, të redaktuara nga Julius Evola – por la një gjurmë shumë më të thellë, të dukshme dhe të padukshme. I shenjtë ishte për të tetraktis, trekëndëshi magjik i ndërtuar mbi bazën e katër numrave të parë: një, dy, tre, katër, të cilët jepnin shumën dhjetë: shuma e të gjitha gjërave, e të gjithë numrave dhe e gjithë botës.

Pitagora vishej me ngjyra të hapura, me rroba të bardha dhe të pastra, shmangte përdorimin e lëkurëve të kafshëve dhe përdorte çarçafë linoje. Ofronte jo vetëm temjan dhe mirrë, por edhe kulaçë, meli, bathë (për të, të shenjta). Ndër mrekullitë e tij legjendare, thuhet se ai kishte aftësinë të ishte në dy vende njëkohësisht (bilokacion), të zbriste në botën e nëndheshme, njihte jetët e tij të mëparshme dhe të ardhshme; zbuti ariun e egër daunian, foli me demin e Tarantos, përkëdheli shqiponjën e bardhë në fluturim.

Ai përdorte muzikën, këngët dhe kërcimin si terapi, si “magji” dhe katarsis, midis flautit dionisiak dhe lirës apoloniane. Për Pitagorën, Fillimi është gjysma e gjithçkaje: duket si proverbi “fillimi është gjysma e punës”, por ai e kuptonte fillimin si një përgatitje të plotë fillestare, që përfshin jetën dhe të gjithë njerëzimin.

Për Empedoklin ishte “një njeri me njohuri të mbinatyrshme që fitoi njohuri hyjnore falë përvojave të rralla, i shkëlqyer në çdo dije të çdo gjinie.” / bota.al