Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e 24 korrikut në qytetin e Vlorës, ku një i ri është plagosur me mjet prerës pas një konflikti për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 29 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku”, si autor i dyshuar i plagosjes me thikë të shtetasit A. T., 26 vjeç, gjithashtu banues në Vlorë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 të paradites, ku pas një sherri verbal, A. H., në bashkëpunim me vëllain e tij F. B., 33 vjeç – i cili është proceduar penalisht në gjendje të lirë – dyshohet se kanë goditur viktimën me thikë në pjesën e supit.
I plagosuri ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Vlorës, dhe sipas burimeve mjekësore, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.