Ballina Opinion Pse u gris flamuri shqiptar dje në Kosovë?

Pse u gris flamuri shqiptar dje në Kosovë?

0
32
Nga Kreshnik Spahiu 
Ajo që pritej, ndodhi.
Dje, flamuri kombëtar shqiptar u shkel me këmbë dhe u shtyp me makinë nga disa të rinj, me sharje anti-shqiptare.
Nuk ndodhi në Serbi.
Nuk ndodhi në Maqedonin e veriut.
Nuk ndodhi në Greqi.
Dje, flamuri kuqezi u përdhos atje ku më së shumti është sponsorizuar urrejtja ndaj Shqipërisë vitet e fundit: në Kosovë.
Ndodhi atje ku po kërkohet ndarja nga kombi shqiptar dhe po kultivohet ideja e një “kombi kosovar”.
Ndodhi atje ku prej gjashtë muajsh vendi është pa qeveri dhe pa Kuvend.
Ndodhi atje ku janë mbyllur dyert për Qeverinë e Shqipërisë.
Ndodhi atje ku mosmirënjohja ka shkelur bukën e ngrënë të aleatëve që krijuan shtetin e Kosovës.
Ndodhi atje ku vranë dhe spiunuan njëri-tjetrin, dhe çlirimtarët i dërguan në burgje.
Ndodhi atje ku është shpallur luftë ndaj të gjitha partive shqiptare – në Shqipëri, Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi.
Ndodhi atje ku qeveria e konsideron opozitën shqiptare më armike se Beogradi.
Ndodhi atje ku është harruar nderi që u bënë Amerika dhe Europa.
Ndodhi atje ku e harruan mikëpritjen e Shqipërisë kur Serbia i dëboi dhe përdhunoi.
Sot policia e Kosovës sapo i liroi autorët e këtij akti të turpshëm.
Ata harruan mijëra vite luftë për flamurin kombëtar nga prindërit dhe gjyshërit e tyre.
Harruan sa gjak është derdhur për flamur e për Shqipëri.
Ata nuk janë fëmijë të mitur, por një rini e gjakprishur, e helmuar nga ata që kanë shtrembëruar dashurinë për atdheun dhe simbolet kombëtare.
Ata harruan nënën Shqipëri.
Unë kisha kohë që e prisja të ndodhte poshtërimi i flamurit kuqezi, sepse Kosova është në duart e politikanëve faqezi.
Grisja e flamurit ishte çështje kohe, nga ata që e kanë larguar Kosovën nga Shqipëria si kurrë më parë në historinë e kombit tonë.