Shpresat për një rritje të ndjeshme të turizmit kanë marrë një goditje të fortë këtë vit, teksa të dhënat zyrtare të vetë qeverisë flasin për ritme zhgënjeyse edhe në kulmin e sezonit. Instituti i Statistikave raporti se në muajin qershor numri i të huajve që vizituan Shqipërinë u rrit me 7.6 për qind krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, shumë larg ritmeve dyshifrore të shënuara në dy vitet e mëparshme.
Por në nivel gjashtëmujori, rritja është akoma edhe më zhgënjyese. Sipas Instat në gjysmën e parë të vitit, Shqipëria u vizitua nga 4.76 milionë turistë të huaj, nga 4.54 milionë që ishte shifra në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar duke u rritur me vetëm 4.8 për qind.
Ritmet zhgënjyese të rritjes së turizmit këtë vit ishin sinjalizuar më parë nga vetë bizneset e turizmit, të cilat kanë treguar për më pak vizitorë këtë vit. Turizmi ka qenë motori kryesor i ekonomisë shqiptare gjatë tre viteve të fundit duke mbajtur peshën kryesore të rritjes ekonomike. Por këtë vit duket se edhe rritja ekonomike është më e ngadaltë, teksa kontributi i turizmit pritet të jetë më i ulët.
Sipas origjinës së shtetasve të huaj që kanë hyrë në vend, Europa vijon të jetë rajoni kryesor. Të dhënat tregojnë se 94 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Europës, ku rajoni jugor zë 70 % të hyrjeve.