Ballina Kosovë Rrëfehet Hashim Thaçi: Ndihem i abuzuar, më shkëputën pa të drejtë nga...

Rrëfehet Hashim Thaçi: Ndihem i abuzuar, më shkëputën pa të drejtë nga familja

24
0

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për Klan Kosova ku ka folur për arrestimin e tij nga Gjykata Speciale por dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët.

Thaçi është shprehur se ndihet i abuzuar nga ata që në emër të diçkaje fiktive, pa të drejtë e shkëputën nga familja, e përjashtuan nga puna dhe i morën vitet më të bukura të jetës.

Thaçi ka folur dhe për raportet që ka patur me amerikanët. Ai u shpreh se me Perëndimin dhe SHBA ka patur raporte të shkëlqyera.

“Jo nuk ndihem as i tradhtuar, as i mashtruar. Ndihem i abuzuar nga ata që në emër të diçkaje fiktive pa të drejtë më shkëputën nga familja, me përjashtuan nga puna, m’i morën vitet më të bukura të jetës.

Perëndimi dhe SHBA-të nuk servuan rrëfimin e lëndës. Kam punuar me disa administrata amerikane, efektivisht në raporte të shkëlqyera.

Nga presidentet Klinton mandati i dytë 1996-20, Bush i Riu 2000-2008, Obama dhe Biden 2008-2016, Trump 2016-2020, në ngjarje dhe kohë të ndryshme në SHBA kam folur për Kosovën edhe me presidentin Bush i Vjetër dhe XH. Karter”, tha ai.

Hashim Thaçi: Kam bërë gabime, por s’kam gënjyer e mashtruar

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë ekskluzive të dhënë për emisionin “Rubikon” me Adriatik Kelmendin në Klan Kosova ka folur edhe për rrugëtimin e tij politik. Thaçi u shpreh se gjatë rrugëtimit të tij politik ka bërë gabime, por tha se kurrë nuk ka gënjyer dhe mashtruar.

“Po, kam bërë plot gabime, por nuk kam gënjyer dhe mashtruar. Nuk kam synuar të bëjë idealin, besoj kam bërë realistin. Kam ecur paralel me parimoren dhe pragmatiken, jam munduar të tregohem sa më pak egocentrik”, – tha Thaçi.

Më tej, ai u shpreh se në rrugëtimin e zbatimit të vizionit për liri dhe shtetbërje, në parim dhe strategji nuk do të ndryshonte diçka me peshë.

“Në rrugëtimin e zbatimit të vizionit për liri e shtetbërje në parim dhe strategji nuk do të ndryshoja diçka me peshë, në planin taktik, periudhat kohore të vendimeve dhe aktorët – do të ndryshoja në raste të caktuara”, – tha Thaçi që ka folur edhe për qëndrimin e tij në paraburgim tash e 5 vjet.

Thaçi tha se gjendet në qelitë e Hagës jo që ka bërë ndonjë plan të gabuar, por për atë se kush ka qenë, kë dhe si e përfaqësonte, e siç u shpreh ai “ndoshta edhe kush jam”.

“Jam këtu jo për atë se kam bërë ndonjë plan të gabuar, por për atë se kush kam qenë, kë dhe si e përfaqësoja dhe ndoshta edhe kush jam, apo edhe se kam ndryshuar shumë në taktikë, por kam mbetur po ai që kam qenë në strategji për të mirën e shtetit dhe qytetarit. Dikush tha: ‘Ke bërë hapa më të shpejtë seç duhej bërë’”, – tha Thaçi.

Ish-presidenti u shpreh besimplotë në drejtësi, duke thënë se narrativat historike dhe agjendat politike në sistemet demokratike nuk marrin përgjigje përmes burgjeve.

“Narrativat historike dhe agjendat politike në sistemet demokratike nuk marrin përgjigje përmes burgjeve. Edhe në këtë situatë dhe çdoherë unë do i besoj drejtësisë. Nga dita e parë, nuk e kaloj kohën duke e menduar veten nxitimthi, por me durim”, u shpreh ai.

Ish-presidenti ka folur për hendikepin e Gjykatës Speciale që sipas tij është mungesa e një mekanizimi kujdestarie legjislativ, që sipas tij, me përpikëri do të zhvendosnin barometrin në favor të fakteve reale, e jo pretenduese apo imagjinare.

“Hendikepi i kësaj gjykate është mungesa e një mekanizmi kujdestarie legjislativ, që me përpikëri do të zhvendosnin barometrin në favor të fakteve reale e jo pretenduese apo imagjinare. Faktet duhet të vlerësohen sipas bindjes juridike dhe jo të interpretohen sipas dëshirës apo përcaktimit paraprak”, tha Thaçi.

Ai tha se çdo vendimmarrje në emër të drejtësisë me bindje apo legjitimitet të lëkundur apo të humbur qytetar, është dhe mbetet i diskutueshëm.

“Çdo vendimmarrje në emër të drejtësisë me besim, bindje apo legjitimitet të lëkundur apo të humbur qytetar, në çdo vend dhe shoqëri demokratike, gjithmonë është dhe mbetet i diskutueshëm dhe i kompromitueshëm”, tha ai.

Ai ka folur edhe për rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e luajtën në çlirimin e vendit. Thaçi e konsideron se asnjë intervenim ndërkombëtar nuk është treguar më i suksesshëm sesa ai i NATO-s në Kosovë, gjë për të cilën tha se pa rolin lider të ShBA-së, Kosova mund të ishte ende provincë e Serbisë.

“Asnjë intervenim ndërkombëtar nuk është treguar me i suksesshëm sesa në Kosovë. Është fakt i pamohueshëm, ishte punë e përbashkët e SHBA-ve, NATO-s, BE-së dhe OKB-së. Por, pa rolin lider të SHBA-së Kosova mund të ishte ende provincë e Serbisë”, – tha Thaçi.

Thaçi foli edhe për bashkëpunimin me BE-në dhe vendet e tjera, bashkëpunim për të cilin tha se ishte interlokutori prej kryesorëve.

“Sa i përket bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe vendet tjera perëndimore – kam qenë interlokutori prej kryesorëve. Bashkëpunimin e vlerësoj cilësor. Kemi pasur edhe gjëra qe nuk jemi pajtuar, për çka jam deklaruar edhe publikisht. Jam i sigurt SHBA dhe Perëndimi e duan Kosovën më të përparuar”, tha ai.

Ish-kryeministri i vendit ka folur ndër të tjera edhe për themelimin e Gjykatës Speciale. Thaçi, që aso kohe ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, në Rubikon u shpreh se Kosova ishte përballë dy sfidave, ta themelojë Specialen në koordinim me ShBA-të dhe BE-në ose vendit do t’i imponohej një gjykatë e njëjtë, por me rol aktiv të Rusisë dhe Kinës.

“Kosova ishte përballë dy sfidave: të themelojë këtë gjykatë vet në koordinim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, ose Kosovës do t`i imponohej një gjykatë e njëjtë, por e themeluar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me rol aktiv të Rusisë dhe Kinës, por që do të përkrahej edhe nga SHBA dhe BE”, – u shpreh Thaçi.

Ai tha se Kosova e bëri zgjedhjen e parë, themelimin e Speciales në koordinim me ShBA-të dhe BE-në, zgjedhje të cilën e quajti shumë sfiduese “por më e përgjegjshme”.

“Kosova bëri zgjedhjen e parë që ishte shumë sfiduese, por më e përgjegjshme. Me garancë nga partnerët amerikanë dhe evropianë se do të punohet me legjislacionin kosovar, pra jo vetëm të merret parasysh, por, nënvizoj, detyrimisht të respektohet”, tha Thaçi.