Saga e përplasjes së fortë për tenderin 9.1 milionë euro të Radio Televizionit Shqiptar ka përfunduar dy ditë më parë, teksa Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar vendimin e RTSH-së për të anuluar procedurën duke e urdhëruar këtë të fundit të shpallë fituese dhe të lidhë kontratën me kompaninë R&T të biznesmenit Renis Tershana.
Vendimi i publikuar në faqen zyrtare të KPP, urdhëron Drejtorinë e Përgjithshme të Radio Televizionit Shqiptar që të anulojë skualifikimin e kompanisë R&T dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara duke e kualifikuar këtë operator.
Tenderi
Tenderi me objekt: “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2 për 48 muaj”, me fond limit 907 milionë lekë u shpall në mars të këtij viti nga drejtoresha në ikje, Aurora Polo.
Vetë shpallja e tenderit me shpejtësi, në kulmin e debateve të për zgjedhjen e drejtorit të ri të RTSH, ishte një veprim që ngrinte pikëpyetje shumë të forta.
Megjithatë, pavarësisht këtyre pikpyetjeve, gara u zhvillua në fillim të prillit dhe në të u paraqitën tre oferta.
Sipas dokumentave zyrtarë, oferta më e ulët u dha nga kompania T.B.S 96 e Artan Xhorit, e cila ofroi ta kryente shërbimin e kërkuar për çmimin 7.6 milionë euro. Kompania R&T ofroi çmimin 8 milionë euro, ndërsa oferta e tretë ishte ajo e bashkimit të kompanive Idea Tel dhe Real Com të cilat ofruan çmimin 9 milionë euro.
Por drejtoresha që e kishte shpallur tenderin e majmë nuk arriti ta përfundonte dot atë. Në datën 25 prill Aurora Polo u largua nga drejtimi i RTSH dhe në krye të këtij institucioni u emërua Eni Vasili. Tre ditë pas emërimit të Vasilit, komisioni i Tenderit në RTSH njoftoi skualifikimin e të treja ofertave të paraqitura në garë.
Ndërkohë, pak ditë më pas këtij vlerësimi, RTSH njoftoi anulimin e tenderit. Por dy nga pjesëmarrësit në garë, kompania R&T dhe bashkimi i kompanive Idea Tel & Real Com e ankimuan vendimin e skualifikimit në Komisionin e Prokurimeve Publike.
Për më shumë se tre muaj për këtë tender është zhvilluar një luftë e fortë. Gjatë kësaj kohe ndodhi dhe një ngjarje që tronditi Komisionin e Prokurimit Publik. Kreu i këtij institucioni, Jonaid Myzyri u pezullua nga detyra dhe u mor i pandehur nga SPAK me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Me gjithë këto zhvillime si dhe me gjithë luftën e fortë që është zhvilluar nën rrogoz, KPP ka vendosur që të shpallë fituese të kontratës së majme kompaninë e Renis Tërshanës duke urdhëruar Radio Televizonin Shqiptar që të anulojë skualifikimin e kësaj kompanie dhe të vazhdojë procedurën me lidhjen e kontratës./ kapital