Ballina Opinion Të dënojë problemin, jo njeriun

Të dënojë problemin, jo njeriun

23
0

Nga Ylli Manjani 

Më shumë se një Kod të ri Penal, kemi nevojë për një kod normal.
Meqë sot u prezantua zyrtarisht një projekt i Kodit Penal, si dhe në respekt të ftesës për të kontribuar, ftesë të cilën e personalisht mirpres, kam disa konstatime të natyrës së përgjithshme.
Drejtësia penale e ka të nevojshme një Kod të ri Penal që:
Të vendosë normalitetin në vend të emergjencave të çastit, të cilat kanë dëmtuar llogjikën e drejtësisë penale;
Të vendosë proporcionalitetin si princip ndëshkimi dhe jo hakmarrjen primitive,apo qoftë dhe të politikës së ditës krejt pa sens;
Të ndalojë kriminalizimin e fjalës. Fajtori dënohet për sjelljen e paligjshme dhe jo për fjalët, mendimet apo opinionet që ka në kokë, celular, kompjuter. “Fjala mort nuk ban”- thotë kanuni. E kur sbën mort smund të sjellë as dënim penal.
Të dënojë sjelljen e njeriut që shkakton dëm të madh/serioz dhe të rrezikshëm dhe jo çdo lloj dëmi. Jo për çdo dëm dënohesh me burg. Kodi penal duhet shoqëruar me një kod kundravajtjesh adminiatrative të plotë.
Të mbrojë territorin dhe popullsinë nga krimet që ndodhin ndaj tyre, dhe jo për llogari të territoreve apo popullsive të tjera;
Të ndërtojë të gjithë ndjekjen penale strikt mbi bazën e pasojës penale dhe të faktit penal (Habeas corpus) dhe jo mbi supozime apo hamendësime;
Të nxisë hetime aktive dhe jo hetues që trashen nëpër zyra duke pritur letra e celularë, sepse Kodi Penal e bën të dënueshëm personin edhe pa ja provuar sjelljen. Mjafton ta përgjosh e ta kriminalizosh për fjalët;
Të ketë 1 nen një vepër penale dhe jo 1 nen me 3 nënvepra penale, shpesh të pa lidhura edhe me përkufizimin e veprës që parashikohet të ndëshkohet;
Të dënojë problemin, jo njeriun. Shoqërinë e dëmton problemi i patrajtuar. Personi i dënuar nuk e shpëton shoqërinë nga problemi;
Një kod penal nuk gjykohet nga numri i neneve, por nga përmbajtja, drejtësia, proporcionaliteti, qëllimi parandalues dhe jetëgjatësia e tyre.
Kodi i ri Penal e ka të nevojshme edhe një Kod të ri të Procedurës Penale.
Nëse idea është të mbyllim gropat aktuale të Kodit në fuqi, më mirë mbajmë këtë që kemi.
Nëse duam diçka tjetër, gjykoj se na duhet si fillim të synojmë diçka normale dhe të llogjikshme.
Po flasim për ligjin që dënon njerëz, praktikisht u merr jetën atyre, ndaj ky ligj është i rëndësishëm. Duhet shkruar qartë, thjeshtë dhe llogjikshëm. Me formulime OKB-je, nuk ecet më.
Mezi pres ftesën për të diskutuar më shumë e mbi nene konkrete për këtë nismë.
E përsëris është më e rëndësishmja e sistemit.
Në fakt ky ligj dhe ligjet e procedurave janë reforma e vërtetë në drejtësi. Kjo që kemi bërë deri më sot me tam tame e picirre ka qenë thjesht reformë personeli.