Një sherr masiv mes 8 turistëve italianë ka ndodhur në shëtitoren e qytetit të Sarandës, rreth orës 01:30 të mëngjesit të 24 Korrikut.
Në sherrin masiv u përdorën shkopinj e sende të forta.
Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim 5 turistë italianë në lidhje me këtë ngjarje. Të kërkuarit janë G. T. 23 vjeç, M. A. 20 vjeç, S. D. 60 vjeç, A. L. 19 vjeç dhe S. B. 19 vjeç, të gjithë banues në Napoli.
Këta të pestë u konfliktuan me 3 italianë të tjerë; G. M. 19 vjeç, F. D. 22 vjeç, dhe L. D. 20 vjeç.
Ndërkohë, policia thotë se ka marrë nën hetim në gjendje të lirë edhe një tjetër italian me iniciale E.G., të cilin e akuzon se shiste bileta për festa pa leje përkatëse, dhe kishte punësuar persona të pasiguruar në këtë aktivitete.
Policia e Sarandës thotë se sherri ka ndodhur për motive të dobëta.
Njoftimi i Policisë Sarandë:
Sarandë/Shpallen në kërkim 5 shtetas italianë që u konfliktuan me sende të forta në shetitoren e qytetit.
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, që pasqyron një konflikt fizik mes disa shtetasve në shetitoren e Sarandës, sqarojmë se:
Ngjarja ka ndodhur më datë 24.07.2025, rreth orës 01:30, dhe menjëherë pas saj, strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë nisur veprimet procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj të plotë ligjor.
Nga hetimet ka rezultuar se dy grupe shtetasish italianë janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, ku kanë goditur njëri-tjetrin me grushte dhe sende të forta.
Në përfundim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, dhe u bë shpallja në kërkim për shtetasit italianë:
G. T., 23 vjeç, M. A., 20 vjeç, S. D., 60 vjeç, A. L., 19 vjeç, S. B., 19 vjeç, të gjithë banues në Napoli, Itali.
Këta 5 shtetas janë konfliktuar dhe kanë goditur me sende të forta shtetasit italianë G. M., 19 vjeç, F. D., 22 vjeç, L. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Avelino, Itali.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori edhe për shtetasin italian E. G., i cili nga verifikimet rezultoi se ushtronte aktivitet të paligjshëm për shitje biletash për festa, pa lejen përkatëse, si dhe kishte punësuar në këtë aktivitet shtetas të pasiguruar.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.