GJKKO ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Denis Bajrin, i cili u ekstradua më 23 korrik nga Dubai. Ndaj tij, GJKKO kishte dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë për akuzat e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Bajri u arrestua më 27 shkurt 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe pasi ishte shpallur në kërkim në megaoperacionin “Metamorfoza”, më konkretisht për eliminimin e Gjin Boriçit (Ndojit) në Vau Dejës më 9 gusht 2020, kërkuar si detyrë nga Ervis Martinaj sepse po e konkuronte në fushën e lojërave të fatit.
Gjithsej ndaj tij rëndojnë 5 akuza të rënda të ngritura nga SPAK dhe që kanë të bëjnë me aktivitetin e grupit të Bajrave të Shkodrës. Në përgjime, SPAK ka mundur të zbardhë biseda që konfirmojnë autorësinë e vrasjes dhe që korrespondojnë fiks me oraret e ekzekutimit.
Fillimisht, Denis Bajri në “SkyECC” njofton Behar Bajrin dhe i shkruan “kryvi”. Të njëjtin mesazh pak minuta më vonë ia nisën edhe Ervis Martinajt. Për këtë vrasje, biznesmeni Pëllumb Gjoka ishte ai që pajtoi Behar Bajrin dhe Behari ia la porosi Denisit, në këmbim më pas Gjoka kërkoi vrasjen e ish policit të burgut, Kleanth Musabelliu, i cili shpëtoi. Behar dhe Gjin Boriçi ishin miq në atë kohë dhe pas vrasjes i shkoi në varrim.