Ballina Ekonomia Vendim i Këshillit të Ministrave/ Ja nga kush do të miratohen lejet...

Vendim i Këshillit të Ministrave/ Ja nga kush do të miratohen lejet e ndërtimit në brezin bregdetar dhe jashtë tij

42
0

Me vendimin e Këshillit të Ministrave qeveria nuk ka ndaluar vetëm ndërtimin nëpër hapësira publike duke vendosur trarë apo rrethime, por i ka shtuar kompetencat edhe më shumë Këshillit Kombëtar të Territorit.

Në nenin 11 të vendimit që ndryshon nenin 19 të vendimit të mëparshëm thuhet se të gjitha lejet përgjatë vijës bregdetare do të miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Po ky institucion do të miratojë edhe lejet për objektet ndërtimore që shtrihen përgjatë bregdetit jo në brezin e parë të detin nëse ndërtimi do të jetë mbi 6 kate.

“Veprat e infrastrukturës apo/dhe objektet ndërtimore, pavarësisht kushteve dhe kritereve të zhvillimit, kur shtrihen brenda zonës së brezit bregdetar, si dhe çdo objekt mbi 6 kate, kur shtrihen jashtë kësaj zone”, thuhet në VKM.

Ndërsa në vendimin e mëparshëm, KKT kishte të drejtë për të miratuar leje për: “aeroportet, portet e pasagjerëve, portet dhe terminalet, të çdo lloj natyre dhe madhësie sipas legjislacionit të posaçëm në fuqi”.

KKT deri më tani ka miratuar projekte të mëdha kryesisht turistike përgjatë bregdetit ose projekte infrastrukturore të mëdha.

Po në këtë vendim “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit” është vendosur të ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit nga autoritetet e zhvillimit për pasuritë private, të cilat kanë qenë pjesë e kufirit të zhvillimit dhe të destinuara për hapësira publike, si sheshe, parqe etj.

Po kështu nuk do të jepet asnjë leje ndërtimi për kryerje punimesh për rrethimeve, trarëve ose çdo mjeti kufizues të hyrjes në ato prona private apo pjesë të sipërfaqes së tyre, të cilat janë të ngarkuara me interes publik.

“Ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit dhe e deklaratave paraprake për kryerje punimesh, si dhe kryerja e çdo lloj punimi për vendosjen e rrethimeve, trarëve ose çdo mjeti kufizues të hyrjes në ato prona private apo pjesë të sipërfaqes së tyre, të cilat janë të ngarkuara me servitut publik, në kuptim të nenit 34, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar. Pavarësisht, nëse nuk është regjistruar servituti në regjistrin e pasurive të paluajtshme, të njëjtat leje dhe punime nuk lejohen as në ato prona private apo pjesë të sipërfaqes së tyre në zonat urbane, të cilat plotësojnë kushtet ligjore për të qenë të ngarkuara me servitut publik, të tilla, si prona që përbëjnë rrugën e daljes nga objektet drejt hapësirave publike, rrugët e kalimit ndërmjet objekteve apo nga objektet drejt rrugëve dhe shesheve publike”, vijon më tej vendimi.