Ballina Aktualitet “Avulluan” 400 mln lekë nga buxheti i bashkisë Fier, gjykata rishikon masat...

“Avulluan” 400 mln lekë nga buxheti i bashkisë Fier, gjykata rishikon masat për zyrtarët: Ish-zv/kryetarja Adela Hysenaj mbetet nën arrest

0
30

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka rishikuar masat për katër nga të hetuarit në kuadër të operacionit “Parking”, një hetim i nisur për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe u drejtua nga gjyqtarja Aurora Tusha.

Prokuroria e Fierit kërkoi marrjen në pyetje të katër personave nën hetim, mes të cilëve edhe ish-zyrtarë të lartë të Bashkisë Fier dhe administratës tatimore. Sipas vendimit të gjykatës, Adela Hysenaj (ish-zv/kryetare e Bashkisë Fier dhe ish-drejtoreshë e Taksave dhe Urbanistikës) dhe Vasil Ceku (drejtor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier) do të vijojnë të mbahen në “arrest shtëpie”.

Ndërkohë, për Anisa Cjapin (drejtoreshë aktuale e Taksave dhe Tarifave Vendore) dhe Martin Dodin (sekretar i përgjithshëm i Bashkisë Fier), masa e sigurisë mbetet “pezullim nga detyra”. Megjithatë, gjykata ka vendosur të revokojë ndalimin për të lënë vendin për Dodin, ndërsa për Cekun është hequr pezullimi nga detyra, por ai mbetet nën masën e “arrestit shtëpiak”.

Kujtojmë se operacioni “Parking” u finalizua pas një hetimi disa mujor nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit. Hetimi zbuloi një dëm prej rreth 40 milionë lekësh në buxhetin lokal si pasojë e mospajisjes me kasë fiskale të parkimit nëntokësor dhe favorizimit të subjekteve private përmes uljes së padrejtë të taksave.