Ballina Aktualitet Finlanda dhe vendet nordike, në krye të botës – Shqipëria mban vendin...

Finlanda dhe vendet nordike, në krye të botës – Shqipëria mban vendin e 84-t në “Indeksin Botëror të Lumturisë 2025”

15
0

Renditja Botërore e Lumturisë për vitin 2025 nga Global Relocate ofron një pasqyrë të qartë mbi mirëqenien e popujve në mbarë botën, duke u mbështetur në indikatorë si ndjesia subjektive e lumturisë dhe niveli i progresit shoqëror. Në krye të listës vazhdojnë të dominojnë vendet nordike, të njohura për sistemet e tyre të qëndrueshme shëndetësore, arsimore dhe për mirëqenien sociale.

Ndërsa këto vende përparojnë me ritme të larta, vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, përballen me sfida që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.
Shqipëria renditet në vendin e 84-t në listë, me një nivel lumturie prej 5.28 pikësh. Edhe pse nuk është në fundin e renditjes, pozicioni i saj mbetet i ulët në raport me vendet europiane dhe madje edhe me disa nga fqinjët në rajon.

Sa i përket vendeve të tjera të Ballkanit, Serbia renditet më lart se Shqipëria, në vendin e 44-t, me një nivel lumturie prej 6.14 pikësh. Mali i Zi gjithashtu qëndron më mirë, në vendin e 67-t, me një nivel prej 5.72 pikësh. Bosnja Hercegovina renditet në vendin e 71-t me një nivel lumturie prej 5.63 pikësh  dhe Maqedonia e Veriut ndodhet në vendin e 86-t, me një vlerësim prej 5.25 pikësh. Këto të dhëna tregojnë se shumica e vendeve të rajonit ndajnë një realitet të ngjashëm.

Në krye të listës për vitin 2025 qëndron Finlanda me një nivel lumturie prej 7.8 pikësh. Pas saj vijnë Danimarka me 7.59 pikë dhe Islanda me 7.53 pikë. Nga ana tjetër, në fund të renditjes qëndron Afganistani, me një nivel shumë të ulët lumturie prej vetëm 1.86 pikë. Libani renditet i parafundit me 2.39 pikë, ndërsa Sierra Leone ndodhet në vendin e 134-t me 3.14 pikë. Këto vende përballen me varfëri ekstreme, kriza politike, mungesë të theksuar sigurie dhe konflikte të brendshme që e bëjnë jetën e përditshme tejet të vështirë për qytetarët./SCAN