‘Gjak për gjak’. Kjo frazë është kthyer në një thirrje të përsëritur në rrjetin social TikTok, pas vrasjes së të riut shqiptar Rivaldo Rusi, 25 vjeç, që humbi jetën në Foria të Centola-s, në 22 qershor 2025 në rajonin e Cilentos në Itali, gjatë një tentative për vjedhje.
Mesazhet e publikuara nga të afërm të tij shqiptarë, të mbushura me urrejtje dhe kërkesa për hakmarrje, kanë alarmuar autoritetet italiane. Hetuesit kanë vënë nën mbikëqyrje rrjetet sociale, pasi nuk përjashtohet mundësia e ndonjë akti represiv ndaj autorëve të përfshirë në ngjarje.
Situata është tensionuar edhe më shumë natën pas transferimit të Aurelio Valiante, 58 vjeç, në një vend të mbrojtur jashtë rajonit së bashku me familjen. Persona të panjohur kanë tentuar të futen në banesën ku ndodhi ngjarja, me dyshime se kërkonin të zbulonin nëse dikush ndodhej ende aty ose për të realizuar ndonjë akt hakmarrës. Policia është vënë në dijeni dhe ka rritur masat e sigurisë.
Hetimet e Prokurorisë së Vallo della Lucania po thellohen. Nën hetim janë vetë Aurelio Valiante, që dyshohet se qëlloi me armë ndaj grabitësve; vëllai i tij, M. Valiante, i cili dyshohet se ndihmoi për fshehjen e trupit të pajetë në një fuçi vere të mbuluar me degë dhe barishte; dhe Xhuijan Curti, 27-vjeçari shqiptar, shok i Rusi-t, aktualisht në gjendje të rëndë në spitalin Cardarelli në Napoli.
Një bashkëpunëtor i tretë i dyshuar është ende në arrati dhe po kërkohet nga autoritetet.
Të martën do të kryhet autopsia nga mjeku ligjor Francesco Lombardo. Ekspertiza do të jetë vendimtare për të përcaktuar nëse Rusi është qëlluar nga përpara apo nga pas – një element kyç për të vlerësuar nëse kemi të bëjmë me mbrojtje të ligjshme apo vrasje të qëllimshme.
Përveç hetimeve balistike dhe atyre penale, autoritetet italiane tashmë janë përqendruar edhe në monitorimin e thirrjeve për hakmarrje që qarkullojnë në rrjete sociale. Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm komunitetin lokal, por edhe opinionin publik në të dyja vendet, duke rritur frikën se tensionet mund të përshkallëzohen përtej një rasti të izoluar.