Ballina Aktualitet Në një vit 11 të ekstraduar/ Si u thye ‘miti i Dubait’,...

Në një vit 11 të ekstraduar/ Si u thye ‘miti i Dubait’, ligji i posaçëm që po përdoret për bosët e krimit

22
0

Grupet kriminale shqiptare nuk po kanë më një strehë të sigurt në Emiratet e Bashkuara Arabe. Rrëzimi i para pak ditëve i kërkesës për lirim në të tre shkallet e gjykimit të Florenc Çapjes, tregon se momenti kur hipin shkallet e avionit për t’u riatdhesuar, këta të kërkuar nuk kanë më asnjë shans për të dalë në liri shpejt në Shqipëri. Muajt e fundit nga Dubai dhe Abu Dhabi drejt vendit tonë janë deportuar 11 të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare. Edhe pse Shqipëria nuk ka një marrëveshje të mirëfilltë bashkëpunimi, ky mit u thye nga Interpoli, dhe Emiratet po përdorin një ligj të posaçëm për marrëdhëniet e reciprocitetit mes shteteve, të ngjatëm me ekstradimet.

“Nga ky aeroport kanë zbritur 11 emra të njohur të botës së krimit të sjellë në vendin tonë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. I pari që preku tokën shqiptare ishte Bruno Çoba, më 13 mars të vitit të shkuar, i akuzuar nga Spak për mashtrim përmes bursave. Pak muaj më vonë, drejtësisë shqiptare iu dorëzuan dy të shumëkërkuarit, Plaurent Dervishaj dhe Juljan Meçaj, të shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, por edhe për ngjarje të tjera kriminale”, raporton gazetarja Xhensila Kodra.

Pas tyre radhën e kishte Arjan Malko, që rezultonte të ishte në kërkim në Itali për trafik droge. Ndërsa më 2 maj të këtij viti, nga Dubai në Tiranë, u soll edhe Florenc Çapja, prej 10 vitesh në arrati dhe i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Nezir e Gentian Beqirit, babë e bir, ngjarje e ndodhur në vitin 2012 në Elbasan, por njëkohësisht i akuzuar edhe si porositës në disa ngjarje kriminale. Në muajin qershor lista e të ekstraduarve u pasua nga Dashnor Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani. Edhe ai, si i vëllai është nën akuzë për vrasje e grup kriminal, si pjesë e dosjes ”Plumbi i Artë”. Bashkë me Dumanin u soll në vendin tonë edhe Armes Stafa, i shpallur në kërkim si anëtar i grupit të Çopjave të Elbasanit.

Më pas të kërkuarit që prekën tokën shqiptare ishin Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, të akuzuar si anëtarë të organizatave kriminale të Suel Çelës apo Çopjave në Elbasan, apo edhe persona që akuzohen se kanë përkrahur të shumëkërkuarin Talo Çela.

Ndërsa i fundit që mbërriti në Shqipëri nga Dubai ishte Denis Bajri, nën akuzë nga SPAK për vrasje dhe grup kriminal.

“Të gjithë personat e sjellë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në vendin tonë janë të kërkuar me urdhrat e Prokurorisë së Posaçme për vepra të rënda penale, si vrasje, drogë e armë, si dhe anëtarë të grupeve kriminale, kryesisht në Elbasan, Shkodër e më gjerë. Njëri prej tyre, Plaurent Dervishaj, në sallën e gjyqit teksa do i komunikohej masa e sigurisë në Gjykatën e Posaçme ngriti akuza të rënda teksa pohoi se nuk është ekstraduar dhe as deportuar nga Dubai, por se ishte rrëmbyer nga policia. Ndërsa të tjerë kanë pretenduar se ardhja nga Dubai ka qenë me dëshirën e tyre”.

Emrat e të deportuarve nga Dubai dhe Abu Dhabi, janë më së shumti të kërkuar nga dosjet “Metamorfoza”, “Revanshi” e “Plumbi i Artë”.

“Pasi mbërrijnë në territorin shqiptar, të cilësuarit si bosët e krimit i dorëzohen Drejtorisë së Burgjeve për t’u izoluar në ambientet e paraburgimit. E pasi u komunikohet masa e sigurisë, shoqërohen sërish në qelitë e burgut. Në më të famshmin 313 aktualisht qëndrojnë Plaurent Dervishaj, Juljan Meçaj dhe Dashnor Dumani”.

Që Dubai nuk do të ishte më streha e sigurt për shumë të kërkuar jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë, u paralajmërua në janar nga ish-ministri i Drejtësisë Eduart Halimi.

E tashmë kjo është e dukshme, pasi disa prej të shumëkërkuarve i janë dorëzuar drejtësisë shqiptare, e të tjerë janë në pritje të sjelljes në vendin tonë. Por në mungesë të një marrëveshjeje ekstradimi me Dubain, cili është mekanizimi që e bëri të mundur ballafaqimin e tyre me drejtësinë shqiptare. Institucionet e kanë shmangur një sqarim konkret, por si ekspert i fushës Halimi na dha një tjetër shpjegim që zbërthehet në 4 shtylla.

Nis me disa zhvillime në fushën e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, mbi bazën e një sërë takimesh që ministrat e brendshëm bënë gjatë vitit 2024, bazuar në ligjin e Emirateve të Bashkuara Arabe mbi reciprocitetin për persona të cilët akuzohen për vrasje dhe armë. Thelbësore është edhe ngritja e një zyre të posaçme të Interpolit, të fokusuar tek të dhënat që u përfituan pas zbërthimit të aplikacionit SkyECC, por edhe në platforma të tjera. Zyra që nisi punë me 3 persona sot ka të paktën 12. Ndërkohë që prej prillit Emiratet kryesojnë Komitetin e Qeverisjes në Interpol! Dubai, për rastet e Sinjalizimeve të kuqe, nga Interpol i jep prioritet mekanizmave të thjeshtëzuar për dërgimin e personave në vendin e kërkimit të origjinës kur ka akuza për vrasje dhe mbajtje armësh!

“Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë marrëveshje ekstradimi me Gjermaninë, Belgjikën, Francën, Uzbekistanin e shumë vende të tjera dhe po kështu as me Shqipërinë. Dhe nuk ka gjasa që të kenë afër një marrëveshje të tillë. Emiratet e Bashkuara Arabe përdorin një ligj të posaçëm për marrëdhëniet e reciprocitetit mes shteteve. Këtë e përdorën së fundmi edhe ndaj Uzbekistanit. Ermiratet po përdorin instrumente të posaçme të ngjashme me ekstradimin, njësoj siç ka ndodhur deri më tani me ardhjen në vendin tonë të të cilësuarve si bosët shqiptarë të krimit”, raporton gazetarja Kodra.

TË DEPORTUAR NGA DUBAI

Bruno Çoba

Plaurent Dervishaj

Juljan Meçaj

Arjan Malko

Florenc Çapja

Dashnor Dumani

Armis Stafa

Ervis Daka

Maksim Koçi

Ado Xhika

Denis Bajri

ARSYET E DEPORTIMEVE NGA DUBAI

1. Ka një sërë takimesh gjatë 2024 mes ministrive të brendshme bazuar në ligjin e UAE për recipprocitetin për persona të cilët akuzohen për vrasje dhe armë!

2. Ka një zyrë të posaçme të Interpolit që u ngrit vitin e kaluar me fokus të dhënat e dala nga SkyECC dhe operacioni Vanilla dhe platformat e tjera. Kjo zyrë nga 3 ka shkuar në 10-12 persona atje!

3. ⁠Më 11 prill 2025, UAE – përfaqësuar nga Ministria e Brendshme është zgjedhur si kryesuese e Komitetit të Qeverisjes në Interpol!

4. ⁠Dubai për rastet e Red Notice nga Interpol i jep prioritet mekanizmave të thjeshtëzuar për dërgimin e personave në vendin e kërkimit të origjinës kur ka akuza për vrasje dhe mbajtje armësh!