Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë për standarde të dyfishta gjatë aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli tha se në Theth u demonstruan akte të dhunshme nga institucionet ndaj banorëve vendas duke iu shembur investimin dhe mohuar të drejtën për të investuar në turizmin malor.
Nga ana tjetër, tha Vangjeli, në Durrës, në plazhin e Currilave i shpëtoi aksionit hoteli Villa Tramonto pronë e Edvald Iljazaj, vëllai i Ardian Iljazaj, Drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Durrësit.
Deklarata
Partia Demokratike dënon me forcë veprimet arbitrare dhe të padrejta të qeverisë ndaj banorëve të Thethit, të cilët, të nxitur nga premtimet publike të Kryeministrit Edi Rama për legalizime dhe mbështetje ndaj turizmit malor, ndërtuan me mund dhe sakrificë në pronat e tyre private.
Përgjigjja shtetërore ndaj kësaj iniciative qytetare ishte një akt i dhunshëm, shembja e investimeve dhe mohimi i së drejtës për të zhvilluar jetesën dhe turizmin në zonat malore të Shqipërisë.
Por për të kuptuar më mirë këtë akt të pastër hipokrizie, mjafton të zhvendosemi për pak në Durrës, diku në plazhin e Currilave.
Hoteli që po ndiqni në këto pamje ndodhet në plazhin e Durrësit dhe është në pronësi të familjarit të Ardian Iljazaj me detyrë Drejtor i Shërbimeve në bashkinë Durrës.
Pronari i Hotel Villa Tramonto, me adresë në Durrës dhe në Jonufër Vlorë është Edvald Iljazaj, vëllai i Ardian Iljazaj, Drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Durrësit.
Kujtojmë se Ardian Iljazaj, ish-Drejtor i Zyrës Vendore të Pasurive të Paluajtshme në Durrës, pasi u shkarkua nga Edi Rama live dhe u arrestua nga policia për tjetërsim pronash në Kepin e Rodonit gradohet si Drejtor Shërbimesh në bashkinë e Durrësit.
Ndërkohë, biznesi i familjes së tij lulëzon në mes të Durrësit, pa asnjë shqetësim nga IKMT apo organet e drejtësisë edhe pse ndërtimi është futur pothuaj brenda në det.
Ky është standardi i dyfishtë i qeverisë Rama: qytetarët e zakonshëm, veçanërisht ata që nuk janë të lidhur me pushtetin, përndiqen dhe ndëshkohen: ndërsa klientela e qeverisë mbrohet dhe shpërblehet.
Partia Demokratike ka denoncuar vazhdimisht ndërtimet sidomos së fundmi lejet në këmbim të votave në zona si Spitallë, Porto Romano, Kënetë, Shën Vlash e të tjera në Durrës, por këto raste nuk janë objekt hetimi për SPAK, IKMT apo asnjë institucion tjetër.
Kjo sepse në Shqipërinë e Edi Ramës, ligji aplikohet vetëm kundër qytetarëve që nuk i shërbejnë interesave të tij.
Sepse Edi Rama shfaqet se është vet ligji, është IKMT, është policia, është prokuroria është SPAK-u është drejtësia, është media, është ekzekutivi.
As nuk mban ndonjë keqardhje as shfaq ndonjë interes për ata qytetarë që kanë investuar jetën e tyre në projekte si ato në Theth, që i kanë ndërtuar me borxhe dhe përkushtim, duke besuar në premtimet e tij boshe.
Në fakt për ne asnjë habi… të gjitha këto i ka paralajmëruar prej kohësh lideri i opozitës professor Doktor Sali Berisha. Koncepti i Ramës nuk është ai në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por e kundërta.
Kjo është arsyeja pse IKMT nuk shkon në Currilat e Durrësit, ku zaptohen pa frikë plazhet.