Ballina Europë Vizita e presidentit amerikan në Skoci, qytetarët e presin me protesta

Vizita e presidentit amerikan në Skoci, qytetarët e presin me protesta

20
0

Qindra protestues janë mbledhur sot në qytetet Edinburg dhe Aberdeen të Skocisë për të shprehur kundërshtimin ndaj vizitës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili ndodhet në vend për të luajtur golf në resortet e tij private.

Në Turnberry, ku Trump po qëndron aktualisht, janë vendosur masa të rrepta sigurie, ndërsa fusha e golfit është vënë nën mbrojtjen e policisë. Turnberry është një nga resortet më të njohura të Trump në Skoci.

Në Edinburg, protestuesit u mblodhën para konsullatës amerikane, ndërsa një tjetër grup zhvilloi protestë në Aberdeen, afër kompleksit të dytë të golfit në pronësi të Trump.

Ky i fundit pritet të vizitojë edhe atë resort gjatë qëndrimit të tij në rajon. Protestuesit mbajnë pankarta me slogane si “Skocia e urren Trumpin”, si dhe flamuj palestinezë, duke shprehur pakënaqësi jo vetëm ndaj pranisë së Trump, por edhe ndaj politikave që ai ka mbështetur më parë.

Një protestues në Aberdeen u pa me një pankartë ku fytyra e Trump ishte vizatuar me ngjyrë të kuqe dhe brirë djalli, sipas pamjeve të publikuara nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP).

Vizitat e Donald Trump në Skoci janë shpesh të shoqëruara me reagime publike dhe protesta, për shkak të qëndrimeve të tij politike dhe investimeve të diskutueshme në vend.