Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se dy shtetas do të shisnin një sasi lënde narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “White Pack”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
I.D., 58 vjeç, i dënuar më parë për krime ndaj jetës dhe K. D., 26 vjeç, familjarë me njëri-tjetrin.
Këta shtetas, në rrugën “Myslym Keta”, u kapën në flagrancë me një sasi lënde narkotike kokainë, të cilën do t’ua shisnin personave të tjerë për ndarje në doza dhe shitjen e saj në zonat e Tufinës, Kinostudios dhe Freskut.
Gjatë kontrolleve fizike, në automjet dhe në banesat e tyre, u gjetën në total 1 kg e 300 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua së bashku me automjetin dhe 2 celularët e të arrestuarve. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.