Ballina Kulturë Zbulime të reja arkeologjike në Kalanë e Gjirokastrës

Zbulime të reja arkeologjike në Kalanë e Gjirokastrës

18
0

Gjatë fazës përmbyllëse të gërmimeve arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës, janë identifikuar mbetjet skeletore të një mashkulli, të pozicionuar brenda një muri të periudhës së antikitetit të vonë, së bashku me skeletin e një kali të zbuluar në afërsi.

Sipas arkeologëve struktura ku është kryer zbulimi i përket një faze më të hershme fortifikimi ndoshta e shek VI e.s , e cila më pas është dëmtuar dhe ripërdorur si bazament për ndërtimet mesjetare.

Pamela Llapaj, drejtuesja e gërmimeve sqaroi se është gjetur një mur i antikitetit të vonë, që ka qenë një nga fortifikimet më të hershme, i cili është prishur dhe përdorur si themel për muret e mesjetës më pas.

“Përveç gjetjeve të qeramikës, kemi pasur edhe një skelet njeriu të vendosur brenda në mur dhe një skelet kali. Pozicioni i skeletit ngre hipoteza për një formë të pazakontë varrimi, ndoshta me funksion ritual apo simbolik, tipik për figura ushtarake të kohës”, tha ajo.

Sipas saj, “për momentin gërmimet mbyllen, por janë shumë interesante sepse po gjejmë themele më të hershme dhe faza jetese dhe fortifikimi për të cilat nuk dihet asgjë”.

“Ndoshta studimet e mëvonshme do të sjellin më shumë informacion për këto periudha të panjohura të historisë sonë”, shtoi ajo.

Ky zbulim pason punën e mëparshme të arkeologut Damian Komata, i cili kishte identifikuar një pjesë muri brenda galerisë së kalasë.

Edhe pse konkluzionet përfundimtare do të varen nga analizat e mëtejshme antropologjike dhe stratigrafike, vetë fakti që një individ , ndoshta luftëtar, dhe kali i tij janë gjetur në këtë pozicion, e pasuron mozaikun historik të zonës dhe nxit pyetje të reja mbi zakonet dhe praktikën funerale të kohës.

Gjetjet e këtij sezoni pritet të kontribuojnë në ndriçimin e një periudhe disi të errët e ende pak të njohur të historisë, shkruan atsh.