Dje në mbrëmje ka dështuar përpjekja e fundit për konstituimin e kuvendit të Kosovës, ndërsa sot hyn në fuqi bllokada e vënë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Tani, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.
Kjo pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar në orët e vona të 24 korrikut, vendosi ex officio masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.
Gjykata e mbështeti vendosjen e masës në atë se për çështjen e konstituimit ka dy lëndë në shqyrtim, atë të paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Me afrimin e mandatit 30-ditor, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj – partia e të cilit i ka tre deputetë – dhe kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë takuar javën e kaluar në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Por, deri më tani nuk kanë njoftuar për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit, dhe më pas formimin e Qeverisë.
Përveç duke argumentuar se kompromisi nuk duket se është afër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 korrik iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike.
Deputetët, përveç zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, duhet të zgjedhin edhe pesë nënkryetarë, për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.
Që nga 15 prilli – kur nisi seanca konstituive – organizatat joqeveritare u kanë bërë vazhdimisht thirrje deputetëve që t’i formojnë institucionet e reja.
Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe diplomatë të huaj të premten, si ambasadorët e Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe të tjerë që ishin të pranishëm në seancën e 52-të konstituive.