Çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme, që shërbejnë si bazë për tatimin dhe procedurat ligjore, po pësojnë ndryshime të ndjeshme. Sipas ekspertëve, në shumë zona, si Durrësi, vlerat e reja janë më afër realitetit të tregut, por rritja e tyre do të shtrenjtojë blerjen e banesave.
“Çmimet e referencës vendosen nga shteti si bazë për tatimin, por shpesh ato janë më të ulëta ose më të larta se çmimi i tregut. Kjo krijon probleme si për shitësin, ashtu edhe për blerësin”, thotë Ervin Demirxhiu, ekspert i tregut imobiliar.
“Ndryshimi në Durrës ishte i vonuar, por i nevojshëm. Investitorët e huaj kanë rritur kërkesën, duke e bërë të vështirë për qytetarët vendas të blejnë prona në këto zona të lakmuara”, shton Artjon Bajrami, gjithashtu ekspert i tregut imobiliar.
Ekspertët kërkojnë përditësim të vazhdueshëm të çmimeve të referencës dhe zgjerim të zonave të ndërtimit, për të balancuar tregun mes kërkesës së të huajve dhe mundësive të vendasve. Ndërkohë, një tjetër mundësi për qytetarët është rivlerësimi i pasurisë, i cili u lejon pronarëve të deklarojnë një vlerë më të lartë për banesën, duke paguar më pak tatim në rast shitjeje.
“Rivlerësimi është një mundësi reale për ata që kanë blerë një pronë vite më parë. Me tatimin e reduktuar, qytetarët kursejnë ndjeshëm në momentin e shitjes”, thotë eksperti Demirxhiu.
Sipas të dhënave, Durrësi po shndërrohet në një nga tregjet më të shtrenjta të pasurive të paluajtshme në vend. Por ndërsa tregu po shkon drejt formalizimit, ekspertët paralajmërojnë se mbështetja për blerësit vendas është më e nevojshme se kurrë.