Një nga liderët më me ndikim rajonal të Indisë, N. Chandrababu Naidu, po e përdor pozicionin e tij si mbështetës kyç i kryeministrit Narendra Modi për të ndërtuar një qendër të avancuar të teknologjisë kuantike në Andhra Pradesh. Ai beson se projekti i ri do të rivalizojë qendrat më të mëdha teknologjike të vendit.
Në intervistën e tij të parë me mediat ndërkombëtare që pas zgjedhjeve, Naidu tha për Financial Times se “Quantum Valley”, siç e ka quajtur projektin, do të jetë “edhe më i mirë” se klasteri teknologjik që ndihmoi të ndërtohej në Hyderabad në vitet ’90.
“Quantum Valley është hapi tjetër. Ky është qyteti që unë gjithmonë kam dashur të ndërtoj,” u shpreh Naidu.
Synimi i tij është ngritja e një parku teknologjik ku zhvillues, studiues dhe shkencëtarë të përdorin fuqinë ende të papërdorur të kompjuterëve kuantikë, me aplikime që variojnë nga kërkimi shkencor te optimizimi i energjisë dhe prodhimi industrial.
“Indianët janë shumë të fortë në matematikë dhe shumë të fortë në anglisht,” tha ai. “Kjo është një kombinim vdekjeprurës për sukses në teknologjinë e informacionit.”
Gjigantët e teknologjisë si IBM, Tata Consultancy Services dhe Larsen & Toubro janë partnerët kryesorë të projektit. IBM po diskuton ndërtimin e kompjuterit më të fuqishëm kuantik në Indi, ndërsa L&T do të ndërtojë infrastrukturën dhe TCS do të sigurojë përdoruesit.
Ndërkohë, qeveria e Andhra Pradesh nënshkroi në dhjetor një marrëveshje me Google për ngritjen e një qendre të dhënash me inteligjencë artificiale në qytetin Visakhapatnam (Vizag), edhe pse projekti është ende në faza të hershme.
Naidu kujton me krenari kohën kur arriti të bindte Bill Gates të hapte qendrën e parë kërkimore të Microsoft jashtë SHBA-së në Hyderabad më 1998, një moment që e ktheu qytetin në një pikë kyçe të hartës globale të IT-së. Sot, Microsoft ka mijëra punonjës atje, ndërsa kompani të tjera si Apple kanë ndjekur shembullin.
Pas rikthimit të partisë së tij Telugu Desam në pushtet në Andhra Pradesh dhe fitimit të 16 mandateve në parlamentin qendror, çka u bë jetike për aleancën e Modi-t pas humbjes së shumicës absolute, ndikimi i Naidu-t është rritur ndjeshëm në skenën politike kombëtare.
Qeveria qendrore tashmë ka lehtësuar financimet nga Banka Botërore dhe Banka Aziatike për Zhvillim për ndërtimin e kryeqytetit të ri në Amaravati, një projekt personal i Naidu-t.
Edhe pse marrëdhëniet mes tij dhe Modi-t kanë qenë të tendosura në të kaluarën, sot ata duket se ndajnë një vizion të përbashkët për të ardhmen teknologjike të Indisë.
“Që prej fitores me shumicë të thellë, Naidu e ka lavdëruar Modi-n në çdo rast,” tha një prej bashkëpunëtorëve të tij. “Ndonjëherë është edhe e tepërt.”
Por vetë Naidu është i bindur se aleanca e udhëhequr nga BJP do të fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme të vitit 2029 dhe parashikon që Modi, i cili mbush 75 vjeç këtë vit, do të kandidojë sërish.
“Ai është një udhëheqës i mirë, njeriu i duhur për kombin,” u shpreh Naidu.