Juventusi pritet të dërgojë një ofertë të re për Randal Kolo Muanin javën e ardhshme, por Chelsea dhe Manchester United mbeten ende të interesuara për sulmuesin francez, sidomos pas transferimit të Viktor Gyökeres te Arsenali.
Drejtori i Juventusit, Damien Comolli, pritet të dërgojë një ofertë të re për sulmuesin e PSG-së, Kolo Muani, javën e ardhshme. Sipas “Gazzetta dello Sport” dhe “Tuttosport”, gjigantët e Ligue 1 janë tani të hapur për të diskutuar një huazim fillestar me detyrim blerjeje, ndaj “Zonja e Vjetër” do të tentojë të përmbyllë marrëveshjen.
Sipas Gazzetta-s, PSG dëshiron që detyrimi për blerje të lidhet me objektiva të lehtë për t’u arritur, duke e vlerësuar sulmuesin e kombëtares franceze mes 40 dhe 45 milionë euro.
Tuttosport konfirmon se kërkesa e PSG-së nuk është më pak se 40 milionë euro, megjithatë mund të jetë më afër 50 milionëve.
Ndërkohë, Chelsea dhe Manchester United mbeten në garë për sulmuesin francez, i cili e kaloi tashmë pjesën e dytë të sezonit 2024-25 në huazim te Juventusi.
Sipas Gazzetta-s, kërcënimi më i madh për bardhezinjtë vjen nga Manchester United, ndërsa Tuttosport thekson se Chelsea është aktualisht klubi anglez më i interesuar për 26-vjeçarin.
Megjithatë, nëse Kolo Muani transferohet në “Old Trafford”, atëherë Juventusi do të tentojë të rikthejë Rasmus Højlund-in, ish-sulmuesin e Atalantas, i cili me gjasë do të ketë më pak minuta te Manchester United nëse francezi bashkohet me “Djajtë e Kuq”.