Një nen që pritet të shkaktojë debat është neni 536, i cili ka të bëjë me pavarësinë e drejtësisë. Qeveria synon të ndalojë kritikat apo sulmet ndaj sistemit të drejtësisë.
Nuk e dimë nëse qëllimi është të ndalet presioni që Berisha, Meta e shumë të tjerë i bëjnë drejtësisë, apo do të bëhet për të kufizuar median të komentojë vendime të caktuara gjyqësore.
Po ashtu janë dhe disa nene të tjera që duket se kanë si qëllim të kufizojnë lirinë e medias. Në Kod janë futur disa përcaktime që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me publikimin e të dhënave sekrete apo hetimore dhe kushdo që i publikon rrezikon gjobë.
Aktualisht ka vetëm një nen në Kodin Penal, por që nuk është specifik për publikimin e të dhënave sekrete. Mirëpo tani është futur ekzaktësisht termi “publikim”, që duket se kufizon punën e gazetarëve. Një tjetër element është se do të ketë burg për këdo zyrtar që u jep gazetarëve të dhëna mbi operacione apo çështje të tjera.
Përcaktimet në Kod
517- Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete të procedimit penal
1. Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, gjyqtari apo sekretari gjyqësor, avokati ose çdo subjekt që vjen në dijeni për to për shkak të detyrës gjyqësore, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
2. Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga cilido, që është paralajmëruar nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore për moszbulimin e tyre, e shton dënimin e parashikuar në paragrafin e parë deri në një të tretën e tij. Nëse kjo vepër kryhet nga personat juridikë dënohet me gjobë ose me një nga dënimet e tjera parashikuar në nenin 123 të këtij Kodi.
3. Publikimi i akteve sipas paragrafit të parë të këtij neni, që sigurohen nga nëpunës apo burime zyrtare, që synojnë shfrytëzimin e tyre për interesa të çfarëdoshme të publikuesit duke u sjellë dëm interesave publike që lidhen me hetimin apo gjykimin e çështjeve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet. Nëse kjo vepër kryhet nga personat juridikë dënohet me gjobë ose me një nga dënimet sipas nenit 123 të këtij Kodi.
Neni 516- Zbulimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë
1. Zbulimi i të dhënave sekrete apo konfidenciale, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
2. Zbulimi që ka sjellë si pasojë vdekjen, plagosjen e rëndë ose ka rrezikuar seriozisht jetën apo shëndetin e dëshmitarëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të familjarëve të tyre apo të punonjësve të policisë, të ngarkuar me mbrojtjen e tyre dënohet sipas dispozitës penale të posaçme bazuar në llojin e pasojës së ardhur dhe, konkurron me paragrafin një të këtij neni.
3. Publikimi me çfarëdolloj forme i akteve të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, shton dënimin deri në një të tretën e tij. Nëse kjo vepër kryhet nga personat juridikë dënohet me gjobë ose me një nga dënimet sipas nenit 123 të këtij Kodi.
Neni 517- Dhënia e informacioneve
1. Dhënia e informacioneve të rëndësishme që lidhen me operacione arrestimesh, vendndodhje dokumentesh apo personash, ngjarje kriminale, rekorde kriminale, lëvizje personash, pavarësisht shkaqeve të dhënies së tij, përveçse kur ka shkaqe padënueshmërie, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
2. Nëse informacioni është dhënë në shërbim të personave të organizuar në bashkëpunim të veçantë, dënimi sipas paragrafit të parë rritet deri në një të dytën e tij.
3. Kur informacioni jepet nga zyrtari publik që mban informacionin apo bie në kontakt me të ngaqë ka dijeni për arsyet e kërkimit të tij, vepra konkurron me krimin që kryhet me ndihmën edhe të informacionit të dhënë autorëve të tyre.
4. Publikimi me çfarëdolloj forme i akteve të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, shton dënimin deri në një të tretën e tij. Nëse kjo vepër kryhet nga personat juridikë dënohet me gjobë ose me një nga dënimet sipas nenit 123 të këtij Kodi.