Ballina Opinion Kultura e dhunës

Kultura e dhunës

0
11

Nga Namir Lapardhaja

Një kamerier 18-vjeçar u dhunua në Vlorë nga një oficer policie për një bidon uji më shumë në tavolinë. I riu, që punonte për shpenzimet e shkollës, u godit dhe u fye, ndërsa dhunuesi ishte një përfaqësues i shtetit, i cili si detyrë funksionale ka të mbrojë qytetarin, jo ta poshtërojë atë.
Ky nuk është një episod i shkëputur nga një kulturë që e sheh dhunën dhe forcën si zgjidhje të problemeve. Jo vetëm që nuk është rast i shkëputur, por është në vazhdën e shumë episodeve të dhunshme që e kanë shoqëruar këtë sezon veror, në jug dhe veri.
 Dhuna ndër ne është pjesë e një kulture të rrënjosur thellë, duke filluar nga kanuni i gjakmarrjes, te brutaliteti i shtetit komunist, e deri te arroganca institucionale e ditëve tona.
Më keq akoma, dhuna sot emetohet edhe nga vetë politika. Fyerjet, sharjet dhe përplasjet në parlament, gjuha e egër në media dhe në debatet televizive, diskursi publik i mbushur me urrejtje dhe promovomi i personazheve të dhunshme në ekranet tona, e kanë normalizuar gjuhën agresive dhe përplqsjen verbale deri edhe fizike.
Kjo kulturë nuk mund të ndryshojë as vetë, as me heshtje. Duhet një reagim i përbashkët që duhet të fillojë nga familja, nga një shkollë që duhet të mësojë dhe edukojë mbi shembuj dialogu dhe modele dijeje dhe kulture, e duke vijuar me median që nuk duhet të besojë më shumë te klikimet se sa te etika dhe te qytetaria e shembujve që promovon, pa harruar edhe politikën që duhet të investohet te fjala, arsyeja dhe argumenti dhe jo te modelet e të fortit dhe të dhunës.
Ngjarja në Vlorë nuk duhet trajtuar e veçuar dhe si një rast sporadik, por vetëm nëse shihet si një ngjarje që duhet të shërbejë për reflektim social dhe shoqëror, mund të shërbejë mirë.