Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër po përjeton një periudhë të artë zhvillimi. Në dy vitet e fundit, numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm, me një prani dominuese të turistëve nga vendet e Evropës Qendrore.
Ky trend pritet të vijojë edhe më tej, sidomos pas përfshirjes së fondit “Marubi” në listën e UNESCO-s, që ka rritur ndjeshëm vëmendjen ndërkombëtare.
Drejtori i muzeut, Luçjan Bedeni, konfirmon se projekti më ambicioz i momentit është zgjerimi i muzeut edhe në Prishtinë, një iniciativë që synohet të konkretizohet deri në fund të vitit.
“Kemi një vëmendje të madhe nga Kosova, e cila besoj se do të konkretizohet deri në fund të këtij viti me hapjen e muzeut atje. Programi do të vijojë në shtator me një tjetër projekt dhe do të pasojë në fund të nëntorit me një tjetër projekt të disa artistëve të rinj”, tha Bedeni.
Sfidat nuk mungojnë. Bedeni thekson se një nga më të mëdhatë është procesi i konservimit të fondit fotografik, ku kërkohet kujdes maksimal për ruajtjen afatgjatë të materialeve historike dhe digjitalizimin e tyre.
“Sfidat e procesit janë ato që kemi përmendur: arkivimi, katalogimi, digjitalizimi dhe konservimi. Parashikimi ynë është që të përfundojmë konservimin e ri të plotë deri në fund të vitit 2027”, theksoi ai.
Me rritjen e interesit dhe mbështetjen institucionale, muzeu “Marubi” po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një qendër që kapërcen kufijtë e Shkodrës dhe Shqipërisë.