Ballina Aktualitet Nga luksi i lokaleve te ndërtimet disa milionëshe, bizneset e Ermir Ndreajt,...

Nga luksi i lokaleve te ndërtimet disa milionëshe, bizneset e Ermir Ndreajt, i arrestuar nga SPAK për trafik droge

0
74

Ermir Ndreaj i arrestuar nga SPAK si pjesë e një aksioni që goditi një grup të fuqishëm të trafikut të kokainës nga Kolumbia e Ekuadori drejt vendeve të BE-së dhe Britanisë së Madhe rezulton të ketë një sërë biznesesh.

Sipas të dhënave të Open Data, ai rezulton të jetë administrator i kompanisë Cinco Cavalli, e themeluar në 2016.

Aktiviteti i kompanisë është bar kafe, muzike live, tregti më shumicë e pakicë të mallrave të ndryshme, etj. Bëhet fjalë për lokalet e natës me të njëjtin emër që janë frekuentuar nga VIP.

Ai po ashtu zotëron kompaninë “Investor Enterprises” e themeluar në 2020. Kompania ka emrin tjetër tregtar Clinique Cinq, një klinikë për trajtime estetike në kompleksin Delijorgji që administrohet nga bashkëshortja e tij me profesion juriste. Klinika ka nisur aktivitetin kur SPAK e akuzon Ndreaj se bashkë me grupin trafikonte sasi të mëdha kokaine me vlerë 411 mln euro.

Ndreaj zotëron edhe kompaninë Unlimited Constructions, e themeluar në 2022. Kompania ka si aktivitet fushën e ndërtimit, si rrugë, autostrada, hekurudha, metro, etj.

Bashkëshortja e tij, Elida Ndreaj zotëron kompaninë Unlimited Delicacy e themeluar në 2022 që zotëron dhe lokalet Savoy Garden një prej më luksozet në Shqipëri.

Pasuria e çiftit, e cila është rritur në vlera të konsiderueshme vitet e fundit, do të kalojë në sitën e SPAK.

Ndreaj u arrestua në të njëjtën ditë me vëllezërit, Klevis e Artur Hoxhosmani e Ilir Lloshin. Ndërsa në burg iu komunikua akuzë Plarent Dervishaj e Erjon Alibej.

Grupi ka trafikuar sipas SPAK përgjatë 2020-2021 6 tonë kokainë me vlerë 411 mln euro.