Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot opinionin publik, ku një kamerier i ri është dhunuar nga ish-shefi i qarkullimit Vlorë, ndërsa punonte në një lokal.
Pas ngjarjes, ka ardhur reagimi prekës i mësueses kujdestare të të riut, i cili siç edhe deklaroi vetë në një reagim të mëparshëm ku tregonte rrethant e ngjarjes, sapo kishte mbushur 18 vjeç.
Vali Veshaj, mësuese e të riut, shprehet se 18-vjeçari ishte nxënës i shkëlqyer dhe se punonte për të siguruar shpenzimet e maturës.
“Djali është nxënësi që sapo ka mbaruar klasën e njëmbëdhjetë dhe është me dhjeta. Është me një sjellje model dhe ka pjekurinë dhe kulturën që i mungon personit përballë. Është djalë i mrekullueshëm dhe po punon për shpenzimet e maturës. Unë që po ju shkruaj jam mësuesja kujdestare e tij”, u shpreh mësuesja.
Ajo bën një apel të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve shtetërore, duke theksuar se dhuna ndaj një të riu që përpiqet ndershmërisht të ndërtojë të ardhmen është e papranueshme.
“Shteti të marrë masa se kjo është rinia e cila nuk e gjen veten askund,” përfundon mësuesja Veshaj.
Ngjarja ka ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa kërkohet drejtësi për të riun dhe ndëshkim për autorët e dhunës.
Mbi rastin ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama, i cili ka kërkuar që autori të dalë përpara drejtësisë.