Ballina Kronika Operacioni i SPAK, GJKKO konfirmon masat për 5 të akuzuarit, lirohet njëri,...

Operacioni i SPAK, GJKKO konfirmon masat për 5 të akuzuarit, lirohet njëri, ishte arrestuar gabimisht

26
0

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka liruar sot menjëherë shtetasin Ilir Lloshi, i cili ishte ndaluar në kuadër të një operacioni të SPAK, pasi rezultoi se ishte prangosur gabimisht për shkak të përputhjes së gjeneraliteteve dhe vendbanimit me një person të dyshuar.

Lloshi deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me çështjen në fjalë, duke theksuar se “s’kam lidhje me keto punë, unë nuk kam dalë asnjëherë jashtë shtetit”.

Ballafaqimi me bashkëpunëtorin e drejtësisë Erion Alibej, si dhe verifikimi i fotove, konfirmoi se nuk bëhej fjalë për të njëjtin person që dyshohet si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Ndërkohë, GJKKO ka konfirmuar masat e sigurisë “arrest me burg” për pesë të ndaluar të tjerë:

1-Artur Hoxhosmani

2-Klevis Hoxhosmani

3-Ermir Ndrejaj

4-Erion Alibej (bashkëpunëtor i drejtësisë)

5-Plarent Dervishaj

Burime nga seanca bëjnë me dije se vëllezërit Hoxhosmani dhe Ndrejaj kanë mohuar përfshirjen në veprimtari kriminale dhe kanë deklaruar se nuk kanë përdorur aplikacionin SKY ECC, i përdorur nga grupet kriminale për komunikime të fshehta. Ndrejaj ka kërkuar gjithashtu një masë më të butë sigurie, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Plarent Dervishaj është larguar nga salla e gjyqit përpara shpalljes së vendimit, pasi gjykata i tërhoqi vëmendjen të mos fliste pa leje.

Grupi kriminal është zbuluar si rezultat i të dhënave të përfituara nga aplikacioni SKY ECC, si dhe deklarimeve të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej.