Identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak, duke rrezikuar djegien e banesave.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, sapo morën njoftimin se mbrëmjen e djeshme në territorin e fshatit Shetel kishte rënë zjarr, i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar dhe që, për shkak të erës së fortë, rrezikonte të përfshinte edhe banesat, u nisën menjëherë drejt vendngjarjes.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. B., 58 vjeç, banues në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak.
Arrestimi i tij u bë pasi, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar në fshatin Shetel, duke rrezikuar edhe banesat pranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, mbi bazën e nenit 206/a të Kodit Penal, “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve ose i mjedisit pyjor”.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët të mos ndezin zjarr për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara.